Mediumi amerikan për letrën e Trumpit, dërguar Erdoganit: Ishte aq e çuditshme, sa na u desh të kontaktonim Shtëpinë e Bardhë

Një letër e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dërguar presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan ka nxitur aq reagime sa që shpeshherë njerëzit kanë vënë në dyshim edhe vërtetësinë e saj.

Megjithatë, sipas mediave të huaja, ajo në fakt është e vërtetë.

Por, pavarësisht kësaj, në momentin që ajo është shpërndarë, me një situatë jo komode janë gjendur edhe media prestigjioze.

Dhe njëra ndër to ka qenë rrjeti televiziv amerikan “MSNBC”. Siç edhe mund të shihet në një video të publikuar nga ky rrjet televiziv, gazetarja tregon se arsyeja pse ky medium nuk e ka publikuar lajmin menjëherë ka qenë se kishin vendosur që paraprakisht ta konfirmojnë atë.

Madje, siç thuhet në përshkrimin e videos, edhe për gazetarët, përkatësisht përgjegjësit e këtij mediumi, letra ishte “e çuditshme”.

“Kjo letër që Trump i dërgoi Erdoganit është aq e çuditshme sa që u desh të kontaktonim Shtëpinë e Bardhë për t’u siguruar që është e vërtetë”, ka thënë gazetarja në paraqitjen e saj, para se të fillojë leximin e letrës.

Ndryshe, presidenti amerikan, Donald Trump, përmes një letre ka paralajmëruar homologun e tij, Rexhep Taip Erdogan, që “mos të bëhet budalla” dhe ka shtuar se historia rrezikonte ta quante atë “djall” në një letër të jashtëzakonshme, të dërguar ditën kur Turqia filloi inkursionin e saj në veri-lindje të Sirisë.

“Le të punojmë për një marrëveshje të mirë!”, shkroi Trump në letrën e datës 9 tetor, vërtetësia e së cilës u konfirmua në media të ndryshme nga Shtëpia e Bardhë.

Letra e “çuditshme” u prit me një pabesueshmëri edhe nga të tjerë, me shumë në fillim duke vënë në dyshim legjitimitetin e saj dhe disa duke e quajtur atë një “shaka”.

David Gergen, i cili ishte këshilltar i disa presidentëve, tha se letra “kishte një cilësi adoleshente” për të cilën tha se kur e pa për herë të parë, ai supozoi se ishte e rreme.