Për një mediatizim të mirëfilltë të temave me karakter gjithëkombëtar, do të duhej të ekzistojë një gatishmëri më e madhe e të gjithë faktorëve që kujdesen për komunikimi brendashqiptar. Por kjo nuk mund të arrihet pa përpilimin e një strategjie të përbashkët në të cilën do të skicoheshin kahet dhe veprimet konkrete që si produkt final do të kishte zgjerimin e dioptrisë për ngjarje që janë me vokacion gjithëpërfshirës
Nga Emin AZEMI
Mediatizimi i ngjarjeve brenda hapësirës shqiptare në Ballkan kalon nëpër disa ulje e ngritje, pa ndonjë projeksion më të gjerë e më gjithëpërfshirës. Prioritet e zhvillimeve i përcakton vetë natyra dhe dinamika e ngjarjeve dhe këtu s’ke si të ndërhysh, sidomos kur ato ndodhin më rrallë. Por, mediatizimi si strategji komunikimi jo vetëm që mungon në hapësirën mediatike shqiptare, por ai sikur vuan pasojat e recidivave nga e kaluara kur nuk kishte kurrfarë përpjekje për të sjellë para publikut produkte me vlera mediatike nga hapësira “përtej kufirit”.
Tani çka po ndodhë? E gjithë vëmendja e publikut shqiptar është e përqendruar, bie fjala, tek zhvillimet që lidhen me procesin e përafrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, përfshi edhe Maqedoninë , Shqipërinë, por nuk ka një vëmendje publike as të përafërt për disa ngjarje në Maqedoni, siç mund të jenë: beteja politike shqiptare në prag të referendumit, rikthimi i proceseve të montuara gjyqësore, ngjarjet kulturore etj. Kështu ndodhë, madje në përmasa edhe më drastike, me mediat e Tiranës, të cilat raportojnë në mënyrë shumë protokollare, ndërkohë që mediat shqipe në Maqedoni jo pak hapësirë u japin temave e ngjarjeve në Shqipëri.
Krejt ky redaktim i ngutshëm i mediave të Prishtinës e Tiranës, mund të mos ketë ndonjë paragjykim, por ajo që bie në sy është mungesa e interesimit për të ofruar një tablo më të gjerë mbi zhvillimet në Maqedoni. Redaktorët dhe gazetarët shqiptarë të Prishtinës, Shkupit e Tiranës takohen vetëm rastësisht dhe krejt në mënyrë sporadike trajtojnë ndonjë temë profesionale teksa pinë një kafe bashkë. Ata deri më tani nuk janë mbledhur në nivel të ndonjë forumi profesional, ndërkohë që gazetarët e hapësirave të tjera në Ballkan mblidhen herë pas herë dhe trajtojnë çështje nga fushëveprimi i tyre.
Në Tiranë, Shkup e Prishtinë nuk funksionojnë korrespodenturat e dikurshme që ishin madje edhe miniredaksi në vete. Praktika e korrespodenturave tani edhe në mediat më të mëdha botërore po shkon duke u reduktuar, por në hapësirën shqiptare ka nevojë për funksionimin e tyre, aq më tepër kur ato mund të mbahen duke koncentruar disa media dhe disa gazetarë në një zyrë të cilët do të raportonin me një kapacitet më të plotë.
Por, edhe sikur të mos funksionojë kjo mënyrë e raportimit, ekzistojnë mundësi të shumta për t’u kompensuar mangësitë. Afërsia gjeografike dhe konsoldimi i rrjetit rrugor janë avantazhe të mjaftueshme për punë lëvizëse të ekipeve gazetareske, të cilat brenda ditës kanë mundësi të sjellin para publikut storje, të cilat do të kishin receptim të lartë dhe do të trajtoheshin sikur të kishin karakter lokal.
Për një mediatizim të mirëfilltë të temave me karakter gjithëkombëtar, do të duhej të ekzistojë një gatishmëri më e madhe e të gjithë faktorëve që kujdesen për komunikimin brendashqiptar. Por kjo nuk mund të arrihet pa përpilimin e një strategjie të përbashkët në të cilën do të skicoheshin kahet dhe veprimet konkrete që si produkt final do të kishte zgjerimin e dioptrisë për ngjarje që janë me vokacion gjithëpërfshirës. (koha.mk)