Stamboll, 20 nëntor – Ueb portali turk i publikoi pjesët e para të audio-incizimit në të cilën dëgjohet se si flet gazetari saudit Xhamal Kashogi, para se të vritet në Konsullatën e përgjithshëm të Arabisë Saudite më 2 tetor.
“Lëshomani dorën! Ç’farë mendoni se bëni?, i citon “Haberturk” fjalët e Kashogit në ” departamentin A” të Konsullatës, ku gjendet reparti i vizave. Në incizim dëgjohet biseda prej shtatë minutash.
Kashogi, siç citohet, është zënë nga katër persona, prej të cilëve njëri ia ka kapur dorën gjatë hyrjes në Konsullatë.
Katër personat e kanë dërguar në pjesën administrative “departamenti B”, ku janë përfshirë edhe tre të tjerë, mes të cilëve njëri është identifikuar si Maher Abdulaziz Mutreb, lider i “ekipit vrasës” 15-të anëtarësh.
Një njeri tjetër është identifikuar si konsulli i përgjithshëm i Arabisë Saudite, Mohamed al Otajbi.
“Tradhëtar! Do t’i nënshtrohesh përgjegjësisë”, dëgjohet se si shprehet Mutreb.
Në pjesën tjetër të incizimit, siç citon “Haberturk”, dëgjohen mospajtime verbale, debate dhe tortura.
Sipas portalit nga “departamenti C” i Konsullatës, ku është zyra e konsullit, janë bërë 19 thirrje telefonike në Arabinë Saudite, prej të cilave katër me siguri ishin mes Mutreb dhe Saud al-Kahtani, këshilltar mbretëror, i cili muajin e kaluar ishte larguar nga funksioni.
Mbetjet e Kashogit, gazetar i “Uashington post”, i cili i ka kritikuar autoritetet në Riad, ende nuk janë gjetur.