Mediat të kujdesen për kulturën dhe trashëgiminë

Remzije Bilalli

Shkup, 11 nëntor – Në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve (ITSHKSH) në Shkup u bë promovimi i studios së re, i cili ka për qëllim ngritjen e vlerave gazetareske në vend dhe më gjerë përmes zhvillimit të kulturës mediatike dhe promovimit të kulturës në media, shkruan gazeta KOHA.
Në të do të kyçen figura eminente gazetareske, të cilët kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë rol të rëndësishëm në opinionin publik në mbarë trojet shqiptare dekada me radhë. Drejtori i ITSHKSH-së, Skender Asani, u shpreh se falë gazetarëve si mbështetës të institucionit që ai drejton, u bë kthesë e madhe historike për popullin shqiptarë.
“Gazetaria gjithmonë duhet të jetë në shërbim dhe orientim i popullit siç kanë bërë rilindësit tonë, si dhe gazetarët e viteve ’90. Instituti jonë tani ka hapur edhe pesë departamente që të komunikojmë më gjerë, sepse ne kemi vlera si popull, të cilat nuk janë shfaqur sepse mediat merren më shumë me politikë duke e lënë anash trashëgiminë kulturore. Kjo rezulton edhe në atë se në Maqedoni nuk kemi asnjë muze të trashëgimive kulturore shqiptare”, tha Asani.
Magjistri i gazetarisë, Augustin Palokaj, me këtë rast theksoi se kjo studio do t’u jep përparësi të gjitha gjeneratave, sidomos gazetarëve të rinj. Sipas tij, në kohën kur ata shkruanin me makina të shtypit e të cilën e përshkroi si “koha e gurit e gazetarisë”, koha e sotme dallon për shkak shpejtësisë marramendëse të përhapjes së lajmit e cila shpesh është edhe e rrezikshme.
“Gazetarët janë kanal komunikues midis institucioneve dhe publikut, ata i marrin informacionet – i përpunojnë dhe i transferojnë në mënyrë që të jenë të kuptueshme për publikun. Këtu është dhe përgjegjësia e gazetarëve që ta kuptojnë rolin e tyre, sepse ata pos informimit – krijojnë edhe përshtypje të kulturës dhe kjo kulturë po sfidohet sidomos tash në kohën e rrjeteve sociale që është më vështirë të futen në sistemin e kontrollit, jo të censurës, por të ruajtjes të kulturës së komunikimit”, theksoi Palokaj. Profesori universitar, Sefer Tahiri, shpjegoi se meqë jetojmë në kohen e digjitalizimit, është normale dhe duhet që të ecim përkrah kohës, ndërkaq edhe angazhimi i Institut do të jetë në shpërndarjen të dijes shkencore dhe kulturore. “Publikut do ti servohen informacione të cilat janë të rëndësishme, që kanë të bëjnë me hulumtimet shkencore dhe ne do të informojmë opinionin për të gjithë veprimtarinë që bëjmë në më shumë segmente, ndërsa kjo studio do të jetë edhe një lloj arkivimi elektronik i dëshmive të njerëzve që kanë diçka për të thënë ose lënë si gjurmë historike në Instituti, të cilat më pas do të botohen”,shpjegoi Tahiri.
Drejtoresha e TV21, Valentina Saraçini, beson që kjo studio do të shërbejë si mekanizëm, i cili do të duhet të përcillet nga institucionet tjera kulturore dhe shkencore.
“Teknologjia ka bërë që mediat e informimit, sidomos portalet, të jenë totalisht jashtë kontrollit ligjor dhe të etikës profesionale apo qëllimit që duhet të kenë për publikun, sepse përveç informimit, ata kanë rol edukues të një shoqërie duke zhvilluar dhe afirmuar vlera. Sot, çdo qytetar ka mundësinë ta bëjë gazetarin dhe të jap lajmin, por jo edhe gjithmonë ta jap të vërtetën “, shtoi Saraçini.
Afrim Gjonbalaj, ekspert i Sektorit për Diplomaci Publike të Shtypit në Selinë Qendrore të NATO-s në Bruksel, theksoi se si në shumicën e mediave evropiane, ku gjithçka është e rregulluar me ligj, një gjë e tillë duhet të praktikohet edhe këtu. Ngjashëm edhe për gazetarin Sevdail Demiri, kjo studio paraqet rëndësi të madhe sidomos në kohën e zhvillimit teknologjik. (koha.mk)