Interi po vazhdon të jetë njëra nga skuadrat më aktive në tregun e transferimeve. Zikaltërit po garojnë në tri kompeticione, andaj edhe po shikojnë mundësinë e përforcimeve në mënyrë që të jenë më të kompletuar në fazën e dytë të kampionatit, shkruan GazetaBlic, transmeton gazeta KOHA.
Drejtuesit e 18 herë kampionëve italian, po shfrytëzojnë në maksimum raportet e mira me Atletico Madridin, derisa Sime Vrsaljko nuk pritet të jetë i vetmi që do ta kalojë itinerarin, “Wanda Metropolitano-Giuseppe Meazza”.
Kjo pasi mediat spanjolle tani e konfirmojnë qendërmbrojtësin uruguaian, Diego Godin si anëtarin më të ri të klubit neroazzur nga qyteti i modës.
Thuhet se verën e vitit 2019, atëherë kur do t’i skadojë kontrata futbollistit, do të kalojë me zero euro në Apenine.
Gjithsesi mbetet të shihet deri në Qershor, atëherë kur edhe pritet të mësohet përfundimisht e ardhmja e lojtarit.