E përditshmja spanjolle “Marca” raporton se sulmuesi i Milanit, Gonzalo Higuain, është vetëm disa orë larg kalimin në Chelsea, por Sky Sport Italia kundërshton. Sipas gazetës spanjolle, Higuaini tashmë i ka thënë po Chelseat dhe është buzë finalizimit të kalimit në Londër, transmeton Gazeta Express, përcjell gazeta KOHA.
“Marca” shpjegon se të kaltrit do ta marrin përsipër në mënyrë efektive obligimin e Milanit për ta blerë argjentinasin për 36 milionë euro, si dhe pagë e tij vjetore prej 8 milionë euro. Higuain do të vinte si zëvendësues i Alvaro Moratës, i cili mungoi në ndeshjen e parë të Chelseat ndaj Tottenhamit në gjysmëfinale të Kupës së Ligës të martën dhe thuhet se është rrugës për në Sevilla.
Megjithatë, “Sky Sport Italia” në anën tjetër, këmbëngul se edhe pse trajneri i Chelseat Maurizio Sarri dëshiron që kjo marrëveshje të ndodhë, klubi londinez nuk është i gatshëm të shpenzojë për një lojtar mbi 30 vjeç, dhe se kuqezinjtë kanë për qëllim ta mbajnë atë. Po ashtu, drejtori sportiv i Sevillës, Joaquin Caparros, tha të martën mbrëma se është shumë, shumë e vështirë të arrihet ndonjë marrëveshje për Moratan.