Presidenti Donald Trump po ndez frikën e popullatës nga imigrantët pa dokumente dhe po premton se do të nxjerrë një urdhër ekzekutiv javën e ardhshme që do të vërë kufizime të forta mbi azil-kërkuesit që përpiqen të futen nga kufiri jugor.
Në një tubim politik të enjten në Kolumbia të shtetit Mizuri, presidenti përsëriti disa herë se synon të ndryshojë një amendament të kushtetutës që u garanton shtetësi të gjithë atyre që lindin në Shtetet e Bashkuara. Presidenti tha në tubim se është kundër “turizmit për të lindur fëmijë në SHBA” që praktikohet nga gra shtatzëna që vijnë nga vende të tjera në mënyrë që fëmijët e tyre të marrin automatikisht shtetësinë amerikane.
Presidenti tha se ai mund ta ndryshojë Amendamentin e 14-të me një urdhër ekzekutiv, por ekspertët e së drejtës juridike thonë se ndryshimet kushtetuese kërkojnë shumë më tepër se thjesht një urdhër ekzekutiv.
Gjatë tubimit, presidenti përsëriti edhe kundërshtimet e tij ndaj të ashtu-quajturit “imigracion zinxhir” ku ata që sapo kanë fituar shtetësinë amerikane sjellin të afërmit në Shtetet e Bashkuara.
Më herët, në Shtëpinë e Bardhë, presidenti tha se imigrantët që përpiqen të marrin azil politik duhet ta bëjnë kërkesën kur futen në pikat kufitare. Ai shtoi se synon të rrisë numrin e azil-kërkuesve që ndalohen nga policia.
Imigracioni dhe zgjedhjet për Kongres
Presidenti po i mëshon deri në momentin e fundit temës së imigrantëve në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 6 nëntorit për Kongres, kur votuesit do të vendosin se cila parti do të kontrollojë dy dhomat e Kongresit amerikan, si dhe legjislaturat shtetërore e një numër postesh për guvernatorë.
Në fillim të javës presidenti tha se do të dërgojë më shumë se 5 mijë ushtarë shtesë në kufirin me Meksikën për të bllokuar një karvan me mijëra latino-amerikanë dhe shtoi se mund të dërgojë edhe më shumë trupa. Karvani është rreth 1000km larg kufirit dhe imigrantëve mund t’u duhen javë të tëra ta përshkojnë këtë distancë më këmbë.
Presidenti tha se do të ketë kundërpërgjigje nëse imigrantët qëllojnë me gurë ushtarët amerikanë, duke shtuar se ushtarët “do të përgjigjen,” duke i trajtuar gurët njëlloj si pushkë.
“Do t’i konsiderojmë si armë zjarri,” tha presidenti “duke argumentuar se nuk ka shumë dallim mes tyre nëse dikush të qëllon në fytyrë me gur”. Ai e bëri këtë koment duke iu referuar një incidenti të kohëve të fundit kur imigrantët nga Amerika Qendrore ishin përleshur me policët meksikanë në kufirin Guatemalë-Meksikë.
Në komentet për Zërin e Amerikës, ish-Sekretari i Sigurisë Kombëtare, Tom Ridge kritikoi përdorimin e ushtrisë nga administrata Trump.
“Ushtarët nuk janë stërvitur për të reaguar ndaj një grupi të paarmatosur imigrantësh. Kjo praktikë i vë ushtarët dhe forcat e rendit në një pozitë shumë të vështirë dhe të ngarkuar emocionalisht, pa diskutuar problemet e sigurisë,” tha zoti Ridge.
Ish-Shefi i Shtatmadhorisë, Gjenerali në pension Martin Dempsey kritikoi komentet e presidentit se trupat duhet të qëllojnë ndaj imigrantëve që hedhin gurë. Gjenerali postoi një koment në Twitter.
Raporti i Departamentit të Sigurisë Kombëtare
Presidenti Trump është shprehur shpesh se imigrantët, në radhët e të cilëve ka shumë gra e fëmijë, përbëjnë kërcënim për Shtetet e Bashkuara. Departamenti i Sigurisë Kombëtare nxori një raport me titull “Mit apo Fakt” lidhur me karvanin e imigrantëve.
Ndër të tjera në raport thuhet se “mbi 270 individë në radhët e karvanit kanë të kaluar kriminale, si raste të sulmeve me dhunë me armë vdekjeprurëse, plaçkitje të armatosur, sulm seksual ndaj një fëmije, dhunë ndaj grave”. Raporti shton se në karvan vërehen individë nga më shumë se 20 vende, përfshirë nga vende si Somalia, India, Haiti, Afganistani dhe Bangladeshi.
Raporti shkruan “E dimë me fakte se disa pjesëtarë të karvanit kanë kërcënuar personelin e Institutit Meksikan të Migracionit dhe kemi fotografi të disa prej imigrantëve duke përgatitur shishe benzine”.
Departamenti i Sigurisë Kombëtare nuk ofron prova dhe nuk citon agjenci zbulimi për të mbështetur këto akuza, por thotë se informacioni është marrë nga zyrtarë të qeverisë meksikane dhe media meksikane.
Ish-Shefi i Departamentit të Sigurisë Kombëtare tha për Zërin e Amerikës se “Amerika ka kërcënime më të mëdha se sa imigrantët”.
“Opioidet janë kërcënim më i madh. Terroristët që dërgojnë bomba postare në adresë të figurave politike dhe gazetarëve janë kërcënim serioz. Personi i armatosur që futet dhe vret besimtarët në sinagogë është kërcënim më i madh,” tha zoti Ridge./VOA/