Udhëzuesi ka si qëllim që t’i vijë në ndihmë organizatave civile që të komunikojnë në mënyrë sa më efikase me publikun përmes mediumeve digjitale, sesi të promovojnë aktivitetet e tyre, projektet dhe iniciativat
Evis HALILI
Shkup, 31 maj – Marrëdhëniet me publikun dhe komunikimi me qytetarët vendosen në plan të dytë në pjesën më të madhe të organizatave joqeveritare në Maqedoni. Sipas të dhënave dhe anketave të kryera, publikimi i materialeve të pjesës më të madhe të organizatave nëpër rrjetet sociale bëhet kryesisht në Facebook, e më pak në Twiter apo tepër rrallë në Instagram dhe LinkdIn, më pak se gjysma i azhurojnë faqet e tyre dy deri në tre herë në javë, dhe vetëm 33 për qind i përditësojnë çdo ditë, shkruan gazeta KOHA. Por edhe mënyra dhe cilësia e këtyre formave të komunikimit vihet në pikëpyetja për vetë faktin se më shumë se gjysma e organizatave nuk kanë as sektor dhe as të punësuar që të kujdeset për marrëdhëniet me publikun.
Vetëm 10 për qind e organizatave shpenzojnë 500 deri në 1000 euro në muaj për marrëdhëniet me publikun, ndërsa pjesa më e madhe shpenzojnë më pak se 500 euro në muaj. Të dhënat janë publikuar në panelin e organizuar nga Instituti i studimeve të komunikimit me temë “Komunikimi më efikas me qytetarët përmes mediumeve digjitale”, është diskutuar për përfitimet nga marketingu social dhe dilemat etike, si edhe mundësitë që ofrojnë mediumet e reja në aspektin e nxitjes së ndryshimeve shoqërore. Po ashtu i promovua platforma e resurseve online digitakt.mk, si edhe Udhëzuesi për komunikimin sa më efikas me qytetarët përmes mediumeve digjitale.
“Që një organizatë të ndërtojë imazhin e vet, kredibilitetin, perceptimin pozitiv dhe besimin tek ai publik që i intereson duhet të vendosë disa principe të komunikimit efektiv në secilën pjesë të punës së vet. Vetëm përmes komunikimit efektiv organizata mund t’iu përgjigjet të gjitha sfidave dhe ndryshmeve që i sjell interneti dhe teknologjitë e reja. Informacioni që duhet të komunikohet nënkupton pranimin, dekodimin e drejtë të mesazheve të caktuara dhe një reagim. Prandaj edhe mesazhi duhet të jetë i qartë dhe i thjeshtë”, thuhet në udhëzues.
Udhëzuesi ka si qëllim që t’i vijë në ndihmë organizatave civile që të komunikojnë në mënyrë sa më efikase me publikun përmes mediumeve digjitale, sesi të promovojnë aktivitetet e tyre, projektet dhe iniciativat.
Po ashtu udhëzuesi përmban edhe këshilla praktike për të krijuar mesazhe efektive, segmentimin e publikut, si edhe këshilla për përdorimin e atyre mjeteve digjitale adekuate për publik të caktuar, si matet me lehtësi ndikimi i mediumeve sociale dhe sot ë përgatitet një plan për mediumet sociale që do t’i ndihmojë organizatave civile që të afrohen me target grupet e tyre. (koha.mk)