Të udhëhequrit e shoqërisë me sasi të mëdha paragjykimi mund të shpjerë njeriun modern para dilemës hamletiane të jesh apo të mos jesh i mirinformuar. Një publik i tillë, i përbërë nga qindra e mijëra “dembelë Stambolli” që vetëmjaftohen duke dremitur e vegjetuar brenda kështjellave të tyre virtuale, është i padobishëm në planin e përgjithshëm të mendësisë civile të komunitetit dhe formimit kulturor të njerëzve
Nga Emin AZEMI
Ka qenë një dilemë që ka shoqëruar debatin e përbotshëm mbi internetin dhe vetëdijen qytetare. Jo pa arsye zhvillimi i së ashtuquajturës “media sociale” shihet si alternativë e së ardhmes, për t’u shkëputur nga kontrolli shtetëror i mediave dhe për rrjedhojë vetëdija shoqërore po ndjek hap pas hapi përhapjen e internetit.
Një vegël mjaft e sofistikuar siç është Facebooku dhe rrjetet e tjera sociale ka kohë që po e bën punën e vet në terren, kurse ngjarjet e vogla saora po globalizohen në përmasa planetare.
Mediatizimi i një mikro-ngjarje që ndodh vetëm disa orë më pas, do të duhej të shërbente si alarm për politikën e fjetur dhe stereotipe, e cila ende nuk është e zonja të kap trendet e shpejta të krijimit të opinionit publik me mjete që ajo nuk i ka nën kontroll.
Mediat e reja dhe politika, ndonëse e ndajnë të njëjtën sferë publike, ato megjithatë në shumë raste janë dy skajet e kundërta të një litari i cili vazhdon të tërhiqet mbi kurrizin e një mase të madhe njerëzish të paedukuar mjaftueshëm mediatikisht. Një vetëdije e krijuar nga funksionimi i mediave të reja është në konflikt permanent me logjikën politike e cila njerëzit i trajton si makinë votuese dhe asgjë më tepër.
Ngjarjet politike dhe aktivitet e ndryshme publike nuk mund të shikohen të shkëputura nga pjesëmarrja aktive e përdoruesve në rrjetet sociale. Ky interaktivitet komunikues krijon një ‘opozitë të re’, e cila, hëpërhë, nuk është nën kontrollin e asnjë reprezenti politik. Janë të shumtë në numër ata persona që po e kultivojnë identitetin e tyre qytetar, intelektual e social përmes kësaj bote virtuale dhe favori më i madh që del nga ky realitet është pamundësia e politikës së ditës për të manipuluar me këtë ‘masë elitare’ që po e projekton refuzimin e vet jo vetëm personal, por edhe komunitar.
Për dallim nga mediat konvencionale, të cilat luftën e propagandës e zhvillonin njëkahshëm, tani në praktikë po ndodhë një luftë tjetër e mediave sociale ku shpërndarja e mesazhit është shumëkahëshe dhe për pasojë efektet janë shumë fish më të mëdha, sidomos në krijimin e situatave paragjykuese sociale, etnike e fetare.
Sot gjithkush bën gazetarin dhe redaktorin nëpër media sociale, por askush nuk merr përgjegjësinë për efektet shpërdoruese të lirisë pa kufi dhe cenimit të standardeve minimale profesionale. Postimi pa kriter i materialeve (ku zakonisht mungojnë datat dhe vendet ku kanë ndodhur ngjarjet), qofshin të shkruara apo të multimedias, po krijon jo vetëm një publik pa shije e pa sens, por po ngre murin ndarës që po i ndihmon me të madhe mosqarkullimit normal të ndikimeve, vlerave e modeleve reciproke.
Ka rrezik që ky publik i ri që po formohet në këtë mënyrë, të jetë aq shumë i lidhur pas “realitetit të tij”, sa të humbë sensin e prekjes në realitetin konkret të jetës së përditshme, por edhe heqjen dorë nga mediat e tjera, të ashtuquajtura konvencionale, ndaj të cilave, me pa të drejtë mund të ngrihet një gardh paragjykues.
Të udhëhequrit e shoqërisë me sasi të mëdha paragjykimi mund të shpjerë njeriun modern para dilemës hamletiane të jesh apo të mos jesh i mirinformuar. Një publik i tillë, i përbërë nga qindra e mijëra “dembelë Stambolli” që vetëmjaftohen duke dremitur e vegjetuar brenda kështjellave të tyre virtuale, është i padobishëm në planin e përgjithshëm të mendësisë civile të komunitetit dhe formimit kulturor të njerëzve. (koha.mk)