Sipas “Le Parisien”, Adrien Rabiot do të veshë fanellën e Barçës më 1 korrik. Futbollisti ka fiksuar, gjithmonë sipas kësaj mediaje franceze, kushtet e kontratës së tij me katalanasit. Edhe pse klubi blaugrana ka nënshkruar me De Jong, lojtari i PSG beson se do ta mbyllë marrëveshjen, për të cilën nëna e tij, Veronique, thuhet se ka tashmë dakordësi me Pep Segura dhe Eric Abidal.
Në fakt, një mjegullnajë e çuditshme e rrethon të ardhmen e Adrien Rabiot. I “përjashtuar” nga klubi kampion i Ligue 1, pas refuzimit për ta rinovuar kontratën me PSG, e cila i skadon më 30 qershor, futbollisti punon vetëm në ambientet e klubit, derisa të largohet.
Ai beson se fati i tij do të jetë Barça, ku do të duhet të luftojë për një vend në mesfushë me yje si Busquets, Rakitic, De Jong dhe Arthur. Sidoqoftë, Rabiot duket i gatshëm të përballet me këtë sfidë. Sipas “Le Parisien”, në llogaritë e lojtarit francez nuk është planifikuar rivaliteti me Rakitic, i cili parashikohet të largohet nga “Camp Nou” në qershor.