Mediat prishtinase njoftojnë se gjendja në pjesën veriore të vendit, pas aksionit që në mëngjes e kanë zbatuar njësitë speciale policore të Kosovës në veri të Mitrovicës, ku janë arrestuar katër persona, ngadalë po qetësohet dhe tani nuk po ndjehet tension si në mëngjes, njoftoi korrespodenti i MIA-s nga Prishtina.
Ekipe të portalit “Gazeta ekspres” dhe të televizionit T7 njoftojnë se në veri të Mitrovicës dhe në pjesët tjera në pjesën veriore të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, jeta po kthehet në normalë.
Te popullata lokale, sipas këtyre mediave, më nuk ndjehet shqetësimi që u krijua gjatë aksionit, të cilin herët në mëngjes e ka realizuar policia e Kosovës, me ç’rast janë lëshuar sirenat, ndërsa kishte informata edhe për të shtëna. Pas kësaj, një numër i madh i banorëve të shqetësuar në mëngjes janë tubuar te sheshi i qytetit, pas çka kryetari i komunëas, Milan Rakiq u bëri thirrje për qetësi.
Në aksionin e njësive speciale ROSU janë arrestuar katër persona lidhur me vrasjen e liderit të serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviq, që ka ndodhur në janar të këtij viti. Përveç kësaj, u konfiskua edhe armë ilegale dhe material tjetër dëshmues