Raportimi ende ka ngjyrim etnik dhe mediat nuk po arrijnë ta tejkalojnë vetveten, duke mos ofruar një qasje më të balancuar. Përgjegjësia publike me këtë rast është e dyfish për faktin se mediat barrikadohen në qëndrime ekskluzivisht etnike, ndërkohë që kanë mungesë të kurajos qytetare për të sfiduar keqbërësit që vijnë brenda etnisë së tyre
Nga Emin AZEMI
Një ngjarje e rëndë me epilog tragjik ndodhi para tri ditëve në Shkup. Një i ri nuk iu përballoi plagëve të marra nga sulmi që kishte marrë ditë më parë pas fjalosjes verbale me një grup të rinjsh nga një lagje tjetër e Shkupit. Gjithmonë kur krimi merr konotacion ndëretnik, ai disi është më i rëndë, më i kobshëm. Edhe në rastin e fundit krimi kishte këtë konotacion. Madje, përkatësia kombëtare me këtë rast as që do të dihej, po të mos ishin rrjetet sociale, të cilat, si gjithmonë, shërbejnë për të nxitur euforinë e mosdurimit dhe konfliktit në mes të njerëzve. Në Maqedoni ende krimi është më i madh kur shkaktohet nga një pjesëtar i etnisë tjetër.
Kështu shikohen gjërat dhe dioptria e vrojtimit mjegullohet deri në masën e padurueshme të humbjes së racionalitetit. Gjuha e përdorur në rrjetet sociale përjashton çfarëdolloj mundësie që megjithatë jo të gjitha rastet kanë karakter të njëjtë dhe jo me automatizëm duhet paragjykuar gjithçka që vjen nga shoqëria shqiptare. Edhe rasti i fundit po trajtohet sikur në Maqedoni të mos kishin ndodhur krime edhe më parë e ku viktimë të mos kenë qenë shqiptarët. Maltretimet nëpër autobusë ku cak sulmi ishin nxënësit shqiptarë, dhuna urbane e shkaktuar nga tifozët e futbollit ku sërish pronat e shqiptarëve ishin në qendër të goditjeve, por edhe rastet tjera individuale, megjithatë tregojnë se shoqëria maqedonase ende nuk është liruar nga urrejtja kundër etnive të tjera, sidomos ndaj shqiptarëve.
Edhe rasti i fundit mund të ketë ardhur si reaksion ndaj kësaj urrejtjeje, mirëpo shqiptarët në asnjë mënyrë nuk guxojnë t’i japin liri vetes që të ndajnë drejtësi. Ndonëse shpeshherë të pambrojtur dhe të patrajtuar institucionalisht, shqiptarët do të duhej të vetëpërmbahen në mënyrë që të mos bëhen shkak i revanshizmave. Një shoqëri dinjitoze madje do të dilte me një qëndrim publik që do të dënonte krimin që merr jetën e një pjesëtari të një etnie tjetër. Kështu do të duhej të vepronin edhe ndonjë shoqatë a organizatë qytetare e shqiptarëve dhe vetëm në këtë mënyrë, i pritet hovi euforisë revanshiste mbi baza etnike. Fatkeqësisht, kjo mungesë totale e reagimit publik është evidentente më tepër në shoqërinë maqedonase, e cila në shumë raste – nuk arriti të distancohet nga krimet që iu kanë bërë shqiptarëve në të kaluarën. Rasti më i freskët ishte me vogëlushin Almir Aliu ku mungoi totalisht solidariteti i shoqërisë maqedonase. Përgjegjësia për të shprehur mospajtim është edhe më e madhe kur dihet fakti se përpos kryerësit të krimit, që ishte një qytetar maqedonas, por edhe institucionet që deformuan procesin duke e shndërruar nga “vrasja me paramendim” në “aksident trafiku” , dominoheshin nga kuadro maqedonase.
Fatkeqësisht, në këtë amulli kanë rënë edhe mediat. Raportimi ende ka ngjyrim etnik dhe mediat nuk po arrijnë ta tejkalojnë vetveten, duke mos ofruar një qasje më të balancuar. Përgjegjësia publike me këtë rast është e dyfish për faktin se mediat barrikadohen në qëndrime ekskluzivisht etnike, ndërkohë që kanë mungesë të kurajos qytetare për të sfiduar keqbërësit që vijnë brenda etnisë së tyre.
Konfliktet e dikurshme që ndodhën në ish-Jugosllavi nuk do ta kishin dramacitetin e tyre sikur të mos motivoheshin nga qëndrimet e njëanshme të mediave. Viktima e parë e një lufte gjithmonë është e vërteta, kurse mediat ishin ato që të vërtetën e deformonin varësisht nga cili pozicion shiheshin ngjarjet. Në Maqedoni, mediat gjatë konfliktit të 2001-shit nuk ishin luftënxitëse deri në atë masë sa të ndikonin në ndryshimin radikal të situatës në terren. Ky është një moment që do të duhej të përdoret si model i raportimit në kushte krize pa ndonjë tendencë të theksuar të polarizmit të konflikti mbi baza etnike që do të kishte konotacionete luftës qytetare.
Arsyet mund të jenë të shumta pse nuk ndodhi devalvimi i kritereve etike të mediave në Maqedoni në vitin 2001, por ajo që mund të merret si e sigurt është edhe fakti se atëbotë, nuk kishte media sociale dhe mundësia për të krijuar kaos në hapësirën publike ishte shumë më e vogël se tani.
Domosdoja e një strategjie mediatike që imponohet edhe tani për të amortizuar animozitetet publike, sigurisht që është kushti kryesor pa të cilën nuk mund të pretendojmë për një botë të lirë dhe pa paragjykime. (koha.mk)