Pas një aventure dy vjeçare në kampionatin turk me fanellën e Besiktasit, mesfushori kilen Gary Medel është gati të rikthehet në Itali, por këtë herë me fanellën kuqeblu të Bolognës.
Emilianët kanë gjetur akordin me klubin turk për blerjen e kartonit të Medel, kundrejt 2.5 milionë eurove, ndërsa mesfushorit i kanë ofruar një kontratë dy vjeçare me pagë prej 1.7 milionë eurosh në sezon.
Marrëveshja pritet të zyrtarizohet ditën e sotme, ndërsa kileni pritet të mbërrijë në Itali gjatë ditës së nesërme për të kryer vizitat mjekësore dhe për t’u vënë në dispozicion të Mihajloviç.
Gary Medel është një njohës i mirë i kampionatit italian, pasi ka luajtur për dy sezone edhe me Interin, ndërsa është një futbollist që mund të luajë qoftë si shkatërrues, qoftë si qendërmbrojtës, rol që e bën vazhdimisht te Kili.