Lionel Messi u është kundërpërgjigjur kritikëve duke thënë se ai dëshiron suksese me Argjentinën dhe se medaljen e artë olimpike me përfaqësuesen e vlerëson më shumë se trofetë e arritur me Barcelonën. 29-vjeçari ka pasur karrierë të shkëlqyer në Camp Nou, por një gjë të tillë nuk e ka pasur me përfaqësuesen e Argjentinës. Ai shpesh është kritikuar për dështimet e përfaqësueses dhe së fundmi u suspendua me katër ndeshje pasi e fyeu gjyqtarin në ndeshjen kundër Kilit. “Kritikat që marr nuk janë diçka brengosëse sepse e di se çfarë ka ndodhur”, ka thënë Messi për Esquire. “I kuptoj njerëzit që gjithmonë duan fitoren tonë dhe kërkesat për të siguruar një trofe”. “Ata që luajnë për kombëtaren duan të fitojnë trofe. Medalja e Artë në vitin 2008 është fitore që e vlerësoj më së shumti sepse është garë që merrni pjesë një herë në karrierë dhe në të përfshihen shumë atletë të disiplinave të ndryshme”, ka thënë ai.