David Mearns, oqeanografi dhe drejtuesi i kërkimeve për aeroplanin me të cilin po udhëtonte Emiliano Sala dhe piloti David Ibbotson, ka thënë familjarët e të dy personave e dinë se ata veçse janë të vdekur.
Piper Malibu, lloji i aeroplanit me të cilin po udhëtonte Sala nga Nantes në Cardiff, u gjet të dielën në fundin e detit, afër ishullit Guernsey. Oqeanografi dhe shkencëtari, David Mearns, i cili i ka drejtuar kërkimet për këtë aeroplan, ka bërë të ditur se ata kishin kërkuar për disa orë radhazi para se ta gjenin aeroplanin, transmeton Gazeta Express, përcjell gazeta KOHA.
Dje u raportua se Dega e Hetimit për Aksidente Ajrore e kishte gjetur një trup në pjesët e aeroplanit që ishte zhdukur. Megjithatë, ende nuk dihet nëse trupi është i Salas apo i pilotit David Ibbotson.
“Ajo që familjarët e dinë për momentin është se që të dy [Sala dhe Ibbotson] kanë vdekur dhe ata vetëm duan që ne t’ua rikthejmë trupat. Gjëja më e rëndësishme janë trupat”, ka thënë Mearns.
“Rikthimi i trupave është gjëja më e rëndësishme për të dy familjet. Aeroplani është punë tjetër, ne duam ta nxjerrim atë nga deti vetëm se në këtë mënyrë mund ta kuptojmë arsyen e rrëzimit”.
“Ajo që e di unë është se ne e kemi vetëm një trup për momentin, vetëm kaq di unë. Ata tentuan ta nxjerrin trupin gjatë natës dhe e di se nuk e patën aspak të lehtë”.
Sala dhe aeroplani me të cilin po udhëtonte, Piper Malibu, u zhdukën gjatë rrugës nga Nantes në Cardiff, më 21 janar. Policia Guernsey e përfundoi kërkimin të enjten, më 24 janar, pasi nuk gjeti asnjë gjurmë pas tri ditësh kërkime.