Fatos RUSHITI
Shkup, 16 qershor – Ndarja e kulaçit qeveritar, përveç ministrive, nuk po kalon lehtë mes partnerëve qeverisës LSDM-BDI-ASH, shkruan gazeta KOHA. Në momentin kur Qeveria duhet të kompletohet me zëvendësministra, sekretar shtetëror, si dhe drejtor për drejtoritë shtetërore, duket se marrëveshjet nuk funksionojnë si duhet. Qeveria e Zoran Zaevit ka shtyrë mbledhjen e paraparë për të enjten, nga shkaku se partitë e koalicionit nuk kanë arritur të merren vesh lidhur me emrat për sekretar shtetëror dhe emrat për drejtor në Byronë për Siguri Publike dhe në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim, merr vesh gazeta KOHA nga burime qeveritare. Në mbledhjen e së martës u emërua vetëm një sekretar shtetëror, edhe atë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Magdalena Nestorovska, ndërsa ajo që pritej të ndodh – shkarkimi i Mitko Çavkovit nga BSP, dhe Vlladimir Atanasovskit nga DSK, u la për mbledhjen e radhës. Emri që është lakuar për drejtor të BSP-së ishte ai Llaze Velkovskit, ndërsa Borçe Petrevski për drejtor në DSK. Nga ana tjetër, ka pasur zëra se ish-drejtori i DSK-së, Zoran Verushevski, i afërt i Zoran Zaevit dhe i akuzuar nga ish-pushteti për nxjerrjen e paligjshme të materialeve të përgjuara, po pretendon përsëri të udhëheq me atë drejtori. Jo rastësisht dy ditë më parë ishte vetë kryeministri Zaev që tha publikisht se bashkëpunëtori i tij i ngushtë, Zoran Verushevski, i plotëson të gjitha kushtet për të qenë drejtor në DSK. Megjithatë, emri i Verushevskit është kundërshtuar ashpër nga BDI dhe ASH, ndërsa për PDSH-në dihet se ka vite që ka kritika të forta në publik pikërisht kudër Verushevskit, ngaqë i njëjti në kohën sa ka qenë në DSK, ka përpiluar dosje kundër liderit të kësaj partie Menduh Thaçi. Gazeta KOHA merr vesh se një grup i fuqishëm në LSDM, kryesisht ish-funksionarë të vjetër të saj dhe disa aktual, kanë insistuar që Verushevski të vijë në krye të shërbimit inteligjent, por që ka gjetur zero përkrahje nga ambasadat e vendeve perëndimore. Kanë qenë pikërisht ambasadorët e huaj që kanë insistuar që në krye të këtyre dy drejtorive të rëndësishme të vijnë njerëz tërësisht të pastër moralisht dhe profesionalisht, kjo për shkak se duhet një bashkëpunim i thellë mes këtyre institucioneve dhe organeve të pushtetit gjyqësor siç janë Prokuroria Speciale publike dhe gjykatat. Nga ana tjetër, deri në mbledhjen e radhës – që mund të jetë të hënën apo të martën, në Qeveri mund te emërohen shumica e sekretarëve shtetëror, ndërsa në dilemë është emërim i shpejtë i drejtorit të DSK-së dhe BSP-së. BDI dhe ASH do kenë zëvendës në këto dy drejtori edhe pse më herët kanë insistuar shumë që të udhëheqin të paktën me Byronë për Siguri Publike.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
Me Verushevskin në DSK, LSDM do të imitojë VMRO-në
Leave a comment