Familja Kërkuti nga Dibra është një familje e respektuar, por si shumë familje tjera dibrane, edhe ajo ka marrë rrugën e mërgimit. Sot, në SHBA, në State Island – shteti i Nju Jorkut jeton Vehap Kërkuti me familjen e tij, por me të së bashku jeton edhe nëna e tij Nadire, e cila këto ditë së bashku me të afërmit e saj në SHBA festoi ditëlindjen e njëqind
Vjollca SADIKU
Dibër, 1 dhjetor – Migrimi masiv i popullatës dibrane i cili ka filluar viteve të 60-ta, s’ka të ndalur edhe sot. Kryesisht emigronte popullata e re por mosha e tretë ka patur dy opsione, ose të mbetet vet në vendlindje ose të shkojnë atje ku i kanë fëmijët e tyre. Familja Kërkuti nga Dibra është një familje e respektuar por si shumë familje tjera dibrane, ka marrë rrugën e mërgimit. Sot, në SHBA në State Island – shteti i Nju Jorkut jeton Vehap Kërkuti me familjen e tij, por me të së bashku jeton edhe nëna e tij Nadire e cila këto ditë së bashku me të afërmit e saj në SHBA festoi 100 vjetorin e saj. Në një bisedë telefonike me familjarët e saj, thonë se ka qenë një gëzim i madh por edhe një emocion i fuqishëm për vendlindjen meqë plot një shekull jetë, kjo nënë dhe gjyshe ka jetuar edhe në vendlindjen e saj Dibër deri në vitin 2012 kur shkoi tek djali së bashku me familjen në SHBA.
Gjyshja Nadire Kërkuti të cilët familjarët e quajnë Xhixhe ka lindur pikërisht më 28 Nëntor të vitit 1921 dhe në ditën e flamurit, në SHBA i mbushi 100 vjet, tha nusja e saj Pranvera Kërkuti. Ajo shton se është bijë e familjes Kolari dhe ka qenë e martuar për Lutfi Kërkutin Nga martesa e saj familja sot ka mbi 60 anëtarë nga të cilët 4 djem, tre vajza, 11 nipër, 10 mbesa, 14 stërnipa, 20 stërmbesa, 4 katranipër, 2 katrambesa, 2 binjak në pritje nga nipi i saj. “Nëna Xhixhe siç e quajmë në familje është e njohur për mikpritjen, bujarinë si dhe për pastërtinë”, thotë për KOHA nusja e saj Pranvera. Djali i saj Vehapi shpreh një kënaqësi të madhe që së bashku me familjen e tij është edhe nëna e tij Nadirja. “Nëna është më e vjetra e familjes Kërkuti, dhe ne si djemtë e saj japim një falënderim të madh për sakrificat dhe mundin e saj”, thotë Vehapi i cili në SHBA migroi viteve 90-ta ashtu siç migruan edhe shumë dibran. Gjatë bisedës me djalin e saj, biseduam dhe shkurt dhe me gjyshen Nadire. Ia uruam 100 vjetorin por edhe festën e flamurit. Ajo na tha se edhe pse nuk është në vendlindje kur ka të afërmit e saj në Amerikë këtë ditëlindje të madhe e ka festuar si ditëlindjet e tjera kur ka qenë në vendlindjen e saj e mbushur me dhurata dhe 100 trëndafila të kuq që flasin për një shekull të jetës së saj.
Familja Kërkuti e cila në fillimet e saj në migrim është marrë me biznesin e ndërtimtarisë ka dhënë një kontribut shumë të madhe dhe në aktivitete mbarëkombëtare. Anëtarët e kësaj familje si në Amerikë ashtu edhe në Dibër janë personalitete të cilët japin kontribut si në mërgim ashtu edhe në vendlindje. Djemtë Axhiu, Ruzhdiu dhe Nehati janë punëtor të dalluar por edhe biznesmen të njohur në SHBA ashtu siç është edhe Vehapi. Aktivitet të shumta në SHBA ka edhe nipi Gazmendi kurse në vendlindje edhe Afrimin. Nusja Pranvera Kërkuti thotë se është shumë e kënaqur edhe nga djemtë e saj që shumë kujdesen për gjyshen Nadire në çdo kohë. Alili i njohur me nofkën Lilii, tani më është një këngëtar i njohur si në SHBA ashtu edhe në trojet shqiptare në Ballkan. Ai ka mbi 30 spote dhe shpeshherë është prezent në mediat elektronike por edhe në koncertet e ndryshme. Argëtimi është një biznesmen shembullor i cili tani ka edhe investime në vendlindje.
Pas realizimit të aktiviteteve ditore të gjithë këta kanë dëshirë që në orët e mbrëmjes të bisedojnë me gjyshet e tyre e cila i ka rritë, por edhe pse ka 100 vjet ka dëshirë që të bisedojë dhe të bëjë muhabet. Anëtarët e familjes së saj thonë se gjyshja dhe nëna Nadire- Xhixhe ka dhënë një kontribut të madh në familje. Ajo me plotë dashuri, dinjitet ka përcjellë traditat dibrane tek brezat e rinj, jo vetëm në familjen Kërkuti por edhe tek familjet e tjera dibrane që jetojnë si në Dibër ashtu edhe në ShBA. Sot në ShBA, sipas të dhënave të shoqatës Atdhetare dibrane jetojnë afro 15 mijë dibran. Mes tyre ka edhe shumë dibran të moshës së tretë të cilët pas migrimit të fëmijëve të tyre, edhe ata iu janë bashkangjitur në ShBA. Ata gjithmonë me mallëngjim kujtojnë vendlindjen ashtu siç e kujton atë edhe gjyshja dhe Nëna Nadire e familjes Kërkuti. Por siç thonë familjarët të të moshuarve të gjithë që janë në mërgim përfshirë edhe të moshuarit me trup janë mërgim, por me mendje e shpirt në vendlindjen e tyre të bukur. (koha.mk)