Fjalimi i tij para një turme përkrahësish është pika kryesore e akuzës ndaj tij. Presidenti i atëhershëm afër Shtëpisë së Bardhë u tha protestuesve që paqësisht t’u dëgjohej zëri teksa ata po bëheshin gati t’ia mësynin ndërtesës së Capitolit. Ai pastaj u tha që të “luftojnë si në ferr”
Demokratët dhe republikanët në Senatin amerikan kanë arritur marrëveshje që procesi i dytë që mund të shpjerë te shkarkimi i Donald Trumpit të mbahet në muajin shkurt. Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve të hënën do të dërgojnë në Senat nenin e akuzës për nxitje të kaosit të gjashtë janarit në Washington. Mirëpo, argumentet nuk do të fillojnë deri më 8 shkurt, për t’u dhënë dy javë kohë avokatëve të Trumpit që të krijojnë mbrojtjen e tyre. Demokratët e kanë akuzuar ish-presidentin për nxitjen e kaosit vdekjeprurës të gjashtë janarit në Capitol. Dhoma e Përfaqësuesve gjatë javës së kaluar u hapi rrugë procedurave në Senat, duke e akuzuar Trumpin për nxitjen e kaosit në të cilin mbetën të vdekur pesë persona.
Procedura e dytë e shkarkimit të Trumpit do të fillojë pothuajse një vit pasi Senati e shfajësoi për akuzat për keqpërdorim të pushtetit dhe pengim të Kongresit. Rasti i parë kishte të bënte e akuzat se i bëri presion Ukrainës për të hetuar Joe Bidenin dhe të birin e tij. Mandati i Trumpit ka përfunduar të mërkurën dhe ka braktisur Washingtonin, duke munguar në inaugurimin e pasardhësit të tij, Joe Biden. Fjalimi i tij para një turme përkrahësish është pika kryesore e akuzës ndaj tij. Presidenti i atëhershëm afër Shtëpisë së Bardhë u tha protestuesve që paqësisht t’u dëgjohej zëri teksa ata po bëheshin gati t’ia mësynin ndërtesës së Capitolit. Ai pastaj u tha që të “luftojnë si në ferr”. Lideri i demokratëve në Senat, Chuck Schumer, gjatë së premtes ka thënë se Dhoma e Përfaqësuesve të hënën do të dërgojë akuzën në Senat.
“Senati do të bëjë gjykimin e Donald Trumpit. Do të jetë një gjykim i plotë dhe i drejtë”, ka thënë Schumer në korridorin e Senatit. Ligjvënësit nga Dhoma e Përfaqësuesve që do të veprojnë si prokurorë gjatë gjykimit në Senat, pritet të betohen më 9 shkurt. Lideri i republikanëve në Senat, Mitch McConnell, ka thënë se ishte i kënaqur që Schumer u pajtua në kërkesën e tij për më shumë kohë gjatë fazës përgatitore për gjykim. “Për shkak të shpejtësisë dhe procesit të shkurt në Dhomën e Përfaqësuesve, republikanët do të sigurohen se Senati do të respektojë të drejtat e ish-presidentit Trump, institucionin e Senatit dhe zyrën e presidentit. Qëllimi është arritur. Kjo është një fitore për procesin”, thuhej në njoftimin e zyrës së liderit republikan, McConnell.
Të premten, presidenti Joe Biden kishte paralajmëruar se do të donte shtyrjen e procesit të shkarkimit të Trumpit. Duke iu referuar problemeve aktuale që dëshiron t’i tejkalojë, Bideni ka thënë se më mirë është të kenë më shumë kohë me qëllim që krizat të zgjidhen pa probleme. Sidoqoftë, Shtëpia e Bardhë nuk ka thënë nëse Bideni mendon se Trumpi duhet dënuar. “Bideni më nuk është në Senat dhe varet nga Senati dhe Kongresi që ta mbajë përgjegjës ish-presidentin”, ka thënë sekretarja për media, Jen Psaki.