Shkup, 14 janar – Koordinatori nacional për komunikime strategjike, Marjan Zabërçanec ka thënë se pushteti me transparencë të madhe do të luftojë kundër lajmeve të rrejshme dhe se dëshiron t’i shfrytëzojë të gjitha kapacitetet e institucioneve dhe të nxit të gjithë aktorët në shoqëri- qytetarët, mediat dhe institucionet arsimore në luftën kundër dezinformatave.
“Pastaj pa pasur pretendime të imponohemi dhe të themi kush, si dhe çka duhet bërë. Prandaj plani është draft, bota ende gjurmon për zgjidhje se si të përballet me këtë, kjo ende nuk ka mënyrë. Ambiciet tona për luftë kundër dezinformatave edhe më tej qëndrojnë, dikush u mundua të manipulojë se ne do kemi kinse ndonjë komision i cili do të vendos se çka është lajm i rrejshëm, e çka jo. Kjo është paketa më e lirë dhe më propaganduese lidhur me Planin aksionar. Jo, nuk jemi as për këtë, nuk do të vendosim se cili lajm është gënjeshtër e cili jo, por seriozisht do të dalim dhe do të potencojmë nëse dikush gënjen, si shembulli me atë se nuk kemi teste të koronës në shëndetësinë publike”, ka thënë Zabërçanec sonte në emisionin “Vin vin” në Televizionin Telma.
Sipas tij është e shëndetshme dhe me interes, Qeveria të ketë kujdes se deri ku shkon me luftën kundër dezinformatave.
Lidhur me bisedën telefonike të kryeministrit Zoran Zaev me Greta Tunbergun e rremë, ai tha se ka qenë sulm hibrid i ndërlikuar i zbatuar mbi Qeverinë dhe se me kohë është zbuluar se bëhet fjalë për sulm hibrid.
“Zbuluam se në këtë rast bëhet fjalë për shakatarët të cilët zhvilluan sulm hibrid. Ajo bisedë telefonike është paraqitur tre ditë para zgjedhjeve”, ka thënë Zabërçanec.