Tetovë, 17 tetor – Persona të rinj dhe të papunë tashmë kryer trajnimin tremujor për zdrukthëtar dhe murator në kuadër të masës për trajnim tek punëdhënës i njohur. Lupço Apostolvski, drejtor i Agjencisë për Punësim në Tetovë, thotë se madje dy persona kanë arritur të punësohen pas përfundimin të trajnimit, shkruan gazeta KOHA.
“Ky është një aktivitet në kuadër të planit operativ të masave për punësim të të rinjve në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, Ministrisë së Arsimit, Agjencisë për Punësim dhe Shoqatës së Zejtarëve. Trajnimi që tash është realizuar është në kuadër të një subjekti të verifikuar nga fshati Leshkë. Në trajnim kanë marrë pjesë 10 persona, të cilët në mënyrë të suksesshme e kanë kryer, ku edhe dy persona tashmë janë punësuar. Gjatë kësaj periudhe ka patur trajnime edhe për muratorë në Universitetin e Puntorëve në Tetovë. Këto trajnime janë pjesë e planit aktiv për punësimin e të rinjve, gjegjësisht për përmbushjen e nevojave të tregut të punës”, tha drejtori Apostolovski. Personat që ndoqën këto trajnime gjatë kësaj periudhe kanë marrë edhe subvencione nga shteti.
“Ky trajnim ka qenë për zdrukthëtarë, gjegjësisht 10 persona, kurse 7 persona të papunësuar kanë përfunduar trajnime për muratorë. Të gjithë kanë marrë certifikata dhe gjatë kohës sa ka zgjatur trajnimi, ata kanë qenë të subvencionuar nga ana e agjencisë për punësim nga 9 mijë denarë në muaj dhe subjektet që i realizojnë trajnimet poashtu kanë marrë nga 30 mijë denarë për një person”, deklaroi Apostolovski.
Nga kjo agjenci njoftuan se gjatë periudhës së ardhshme do të ketë trajnime edhe për zejet tjera, për të gjithë personat e papunë të cilët do të shfrytëzojnë këtë mundësi që më lehtë të realizojnë idetë e tyre. “Një pjesë e atyre që kanë marrë certifikata tashmë kanë një rrëfim të suksesshëm, sepse janë punësuar dhe besoj se në periudhën e ardhshme, do të kemi bashkëpunim më të mirë me subjektet e verifikuara të cilët i realizojnë trajnimet”, thonë në këtë agjenci, duke ftuar të gjithë të papunët që të shfrytëzojnë këto trajnime që më lehtë pastaj të gjejnë punë. (koha.mk)