Situata më e vështirë shfaqet në Tetovë, ku janë regjistruar një fluks i madh i qytetarëve të prekur me diarre, vjellje, kokëdhimbje…
Delvina KËRLUKU
Shkup, 24 gusht – Stina e verës shoqërohet me virozë, të cilat shprehen me të vjella, diarre, e ndonjëherë me temperaturë. Kjo virozë kap më shumë fëmijët e vegjël nën 5 vjeç dhe moshat e rritura, tek të cilët futen të sëmurët me sëmundje kronike dhe moshat e treta. Mjekët thonë se gjatë kësaj periudhe të stinës së verës kanë hasur dhe shtim të rasteve me infeksion të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, shkruan gazeta KOHA. Ato kanë shenja klinike rrufën, kollën dhe temperaturë trupore. Sipas tyre, këta të sëmurë duhet të paraqiten në qendrat shëndetësore për të marrë mjekimin e duhur. Mjekët nuk përjashtojnë këshillat sidomos për prindërit me fëmijë të vegjël, që nuk duhet t’u mungojë higjiena dhe konsumimi i ushqimeve të përshtatshme, si dhe konsumimi i ujit.
Doktor Sedat Limani thotë për KOHA se gjatë stinës së verës, enteroviruset janë më se të zakonshme për shkak të higjienës së dobët dhe ushqimet të pakontrolluara dhe jo të pastra.
“Sëmundje të infeksioneve të tretjes së ushqimit dhe infeksionet pastro-intestinale paraqiten si sëmundje sezonale, për shkak të temperaturave të larta klimatike, kushteve higjienike jo të përshtatshme për ruajtjen dhe përgatitjen e ushqimeve… Pra, ushqimet kontaminohen shumë lehtë prej mikrobeve të ndryshme, sidomos baktereve, të cilët e sulmojnë sistemin pastro-intestinal”, tregon doktor Limani nga poliklinika e Çairit.
Ai rekomandon që qytetarët të kenë kujdes në konsumimin e ushqimeve, të cilat ruhen në vende të papërshtatshme, ruajtjen e higjienës, të mos ekspozohemi shumë në diell…
Për konsumimin e medikamenteve, patjetër qytetari duhet të konsultohet me mjekun amë, kur ka dehidrim, nëse ka ndonjë sëmundje bakteriale të konsumohen edhe antibiotikë dhe prebiotikët. Situata më e vështirë shfaqet në Tetovë, ku janë regjistruar një fluks i madh i qytetarëve të prekur me diarre, vjellje, kokëdhimbje.
Doktor Afrim Aliu nga spitali i Tetovës, thotë se në urgjencën e shpejtë janë paraqitur mosha të ndryshme me infeksione. “Kjo stinë me viroze është shoqëruar me numër të madh të pacientëve, të cilët kërkojnë ndihmë. Ky është një tip i virusit, i cili përfshin rrugët e sipërme, po ka edhe tip virusi, i cili përfshin abdomenin, pra dhimbje barku, barkqitje, të vjella, temperatura të larta trupore. Në këtë fluks të të sëmurëve, të gjithë moshat janë përfshirë, prej te fëmijët deri te pleqtë”, tha doktor Aliu. Ai rekomandon kontroll të rregullt te mjeku amë, konsultim me mjekun, t’u largohen ushqimeve të rënda me yndyrë të tepërt, të largohen nga ekspozimi i gjatë jashtë në temperatura të larta. Në spitalin e Dibrës, sipas pediatrit Armir Haxhirexha, më shumë me të vjella dhe ngërçe në bark janë paraqitur fëmijët e moshës deri në 10 vjet.
“Sezoni i verës ka viruse të shpeshta, infeksione virale, që shfaqen më dhimbjen e barkut, diarre dhe të vjella. Dhe e gjithë kjo vjen si rezultat i temperaturave të larta, si rezultat i çrregullimit të ushqimit dhe rendit të ditës, për shkak të dasmave, higjiena jo në nivel, jo ushqime të llojllojshëm si dhe konsumimi i ushqimit që për kohë të gjatë ka ndenjur jashtë në temperatura të larta. Mosha më e prekur në qytetin tonë janë fëmijët nga 0 deri në 10 vjet, që edhe nuk janë të kujdesshëm në higjienë, sidomos në larjen e duarve. Numri i të prekurve nga ky virus është rritur ditëve të fundit. Rekomandoj higjienë më shumë dhe ushqim të lehtë e lëngje të konsumohen”, tha pediatri Haxhirexha. Sipas tij, këto janë viruse që përhapen përmes papastërtisë së duarve dhe në përgjithësi të higjienës jo adekuate. Mjekët rekomandojnë që qytetarët të kenë shumë kujdes gjatë ushqyerjes dhe pemët e perimet të lahen mirë, të konsumohet ushqim i freskët dhe të zier mirë. (koha.mk)