Fisnik PASHOLLI
Shkup, 12 shkurt – Maqedonia me 52.210 dollarë pasuri për kokë banori renditet ndër shtetet më të varfra në Evropë. Sipas analizës së Bankës Botërore, nga shtetet e Ballkanit, më të varfra se ne janë vetëm Bosnje dhe Hercegovina me 40.486 dhe Turqia me 45.998 dollarë për kokë banori, shkruan gazeta KOHA. Më e pasur se Maqedonia, sipas analizave të Bankës Botërore, është Shqipëria me 53.107, Bullgaria me 81.878, Rumunia me 107.022, Kroacia me 147.545, Greqia me 227.925 dhe Sllovenia me 351.776. dollarë për kokë banori. Në listën e shteteve të rajonit nuk figuron Kosova, Mali i zi dhe Serbia. Deri tek pasuria e përgjithshme e shteteve vjen pas grumbullimit të më shumë kategorive dhe shpërndarjes së totalit me numrin e banorëve. Maqedonia posedon kapital prodhues për kokë banori prej 18.969 dollarë, kapital natyror prej 11.416 dollarë dhe kapital human apo njerëzor në vlerë prej 24.770 dollarë, ndërsa posedon edhe pronë negative jashtë shtetit prej minus 2.945 dollarë për banor.
Raporti me titull “Ndryshimi i pasurisë së kombeve 2018” , është i pari në llojin e tij dhe vjen në kuadër të debatit të gjerë që ka pushtuar globin se, a duhet të jetë Prodhimi i Brendshëm Bruto matësi real i zhvillimit. Për këtë arsye, institucione të ndryshme kanë përpiluar metodologji të ndryshme për të matur nivelin e zhvillimit të një shoqërie. Nëse analizohet vetëm PBB, mund të ofrohen sinjale të gabuara për shëndetin e një ekonomike që pasqyron uljen dhe harxhimin e resurseve.
KAPITALI NJERËZOR
Në ndërkohë, kapitali prodhues merr parasysh hapësirat urbane, objektet, pajisjet dhe makineritë në bazë të çmimeve aktuale të tregut. Kapitali natyror përfshin tokat bujqësore, pyjet, hapësirat e mbrojtura dhe rezervat e mineraleve dhe naftës. Kapitali njerëzor mat popullatën në bazë të papunësisë dhe punësimit, si dhe vlerës së fitimit të përgjithshëm përgjatë jetesës së një njeriu.
Shqipëria me 2.890.000 banorë në raport me Maqedoninë me 2.070.000 banorë, sipas Bankës Botërore, ka pasuri prodhimi të vlefshme prej 18.808 dollarë, kapital njerëzor prej 22.818 dollarë dhe neto pasuri shtetërore jashtë prej 1894 dollarë.
Analistët e Bankës Botërore vlerësojnë se një matje e tillë e pasurisë me më shumë tregues që përjashton PBB-në, ofron pasqyrë më të mirë për gjendjen e një ekonomie në raport me treguesit standard siç është Prodhimi i Brendshëm Bruto. Gjithashtu, PBB nuk tregon se sa investimet dhe pasuria e mbajnë hapin me rritjen e popullatës, theksohet në raport. “Me ndërtimin dhe kultivimin e kapitalit njerëzor dhe natyror, vendet mbarë botës mund të rrisin pasurinë dhe ta forcojnë atë. Banka Botërore po përshpejton hapat e saj që t’u ndihmojë vendeve të investojnë më shumë dhe në mënyrë më efikase në njerëzit e saj. Nuk mund të ekzistojë zhvillim i qëndrueshëm dhe i besueshëm nëse kapitalin njerëzor nuk e konsiderojmë komponentin më të rëndësishëm të pasurisë së një shteti”, thotë kryetari i Bankës Botërore, Jim Yong Kim. Raporti më tej shton se shtetet rregullisht përcjellin PBB si një tregues i progresit të ekonomisë së tyre, por jo edhe jo asetet apo mjetet e pasurisë si infrastruktura, pyjet, mineralet dhe njerëzit
që e prodhojnë PBB. Nga ana tjetër, korporatat apo kompanitë e mëdha raportojnë në mënyrë të rregullt për të ardhurat dhe vlerën e pronës apo aseteve të tyre për të vlerësuar shëndetin e tyre ekonomik dhe perspektivat për të ardhmen. Llogaritë e pasurisë i lejojnë shtetet që të marrin në konsideratë edhe pasuritë e tyre për të ndjekur qëndrueshmërinë e zhvillimit, që paraqet sot një urgjencë për të gjitha shtetet. Ndryshe, shtetet më të pasura në botë janë Norvegjia me 1 milion e 672 mijë dollarë, Katari me 1 milion e 597 mijë dhe Zvicra me 1 milion e 466 mijë. Shtetet më të varfra në botë janë Gambia me 5208, Mozambiku me 7718 dhe Burundi me 7579 dollarë.
DOBËT ME KAPITALIN NJERËZOR
Problem tjetër që thekson analiza e Bankës Botërore është fakti se në vendet e zhvilluara, kapitali njerëzor zë mbi 70 për qind të pasurisë totale për frymë, në vendet në zhvillim kjo nuk vlen. Në Maqedoni, kapitali njerëzor që mat popullatën në bazë të papunësisë dhe punësimit, si dhe vlerës së fitimit të përgjithshëm përgjatë jetesës së një njeriu, përfshin nën 50 për qind të totalit të pasurisë, ndërsa në Slloveni – për shembull, nga vlera e pasurisë totale prej afër 351 mijë dollarë, vetëm kapitali njerëzor ka vlerën prej 225 mijë dollarë. Në Maqedoni, nga totali i pasurisë prej 52 mijë dollarë, vetëm kapitali njerëzor ka vlerën prej 24.770 dollarë. (koha.mk)