Edhe pse në krahasim me meshkujt, numri i femrave të diplomuara në Maqedoni është më i lartë, përkatësisht 47.1 për qind e tyre, poashtu edhe numri i femrave magjistre me një shkallë prej 58.6 për qind, shkalla e aktivitetit te femrat poashtu është më e ulët me 43.8 për qind, ndërsa dukshëm është më e lartë tek meshkujt me 69.2 për qind
Delvina KËRLUKU
Shkup, 17 tetor – Megjithëse situata po përmirësohet dita-ditës, pozita e femrës në shoqëri vazhdon të jetë e pavolitshme, sidomos në sektorin privat, në arsim e shëndetësi. Sipas vlerësimit të popullsisë në Maqedoni, nga gjithsej 2.072.490 banorë 49.9 për qind janë femra dhe 50.1 për qind janë meshkuj. Duke u bazuar në të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave, punësimi në këtë vend karakterizohet me një strukturë të pafavorshme gjinore dhe kjo strukturë është e pandryshuar për një periudhë më të gjatë kohore, kryesisht për shkak të kushteve të paqëndrueshme ekonomike dhe sociale në vend, shkruan gazeta KOHA.
Në raportin “Gratë dhe burrat në Republikën e Maqedonisë” të publikuar së fundmi nga Enti Shtetëror i Statistikave, thuhet se shkalla e punësimit në vitin 2016 në mesin e femrave ishte 33.8 për qind, që është dukshëm më e ulët se ajo e meshkujve që është 52.3 për qind. Në po të njëjtin raport theksohet se shkalla e aktivitetit te femrat poashtu është më e ulët me 43.8 për qind, ndërsa dukshëm është më e lartë tek meshkujt me 69.2 për qind. Në krahasim me meshkujt, numri i femrave të diplomuara në Maqedoni është më i lartë, përkatësisht 47.1 për qind e tyre, poashtu edhe numri i femrave magjistre me një shkallë prej 58.6 për qind. Në Maqedoni, në vitin 2017 ishin 143 femra doktorë shkencash.
Gyner Basha Nebiu, kryetare e iniciativës qytetare të femrave Antico, thotë se faktorët që ndikojnë në mos përfshirjen e vajzave në arsimin është pozita jo e volitshme socio-ekonomike e familjeve, e cila më tepër reflektohet në ndërprerjen e shkollimit të vajzave në krahasim me atë të djemve. “Problemet dhe mungesa e infrastrukturës janë më të theksuara në vendet rurale e sidomos në fshatrat malore që janë të izoluara. Kjo posaçërisht reflektohet në përfaqësimin e vajzave në shkollim, për shkak të pasigurisë së tyre në hapësira publike dhe frikës se do të ballafaqohen me rreziqe dhe dhunë të llojeve të ndryshme, sidomos asaj seksuale”, thotë për gazetën KOHA, Basha Nebiu. Ajo thotë se gjithashtu një prej faktorëve të rëndësishëm paraqitet edhe kultura dhe vlerat tradicionale patriarkale, e cila është e lidhur me martesat e hershme.
“Edhe pse thuhet se ky zakon gjithnjë e më tepër është në fazë të zhdukjes, megjithatë ende ka familje nëpër fshatra të izoluara malore, por edhe në një pjesë të konsiderueshëm të komunitetit rom, ku aktualisht zbatohet. Shpeshherë vajzave u ndalohet vazhdimi i shkollimit nga familja, edhe nga shkaku se janë në vitet e ndjeshme të adoleshencës”, sqaron Nebiu. Ajo nuk përjashton faktin se ka përmirësime në zvogëlimin e paragjykimeve dhe streotipeve gjinore, por thekson edhe mohimin e të drejtës së saj për mundësi të barabarta në tregun e punës nëpërmjet aplikimit të masave adekuate për përkrahje. Puna 17-vjeçare në rajonin e Pollogut të Forumit të Grave në Tetovë, sipas Sllagana Josifovskës, ka bërë që të zvogëlohet dallimi lidhur me ndërgjegjësimin e vajzave për arsimim.
“Sot është rritur përqindja e femrave me arsim të lartë, veçanërisht nga bashkësia shqiptare. Megjithatë, mungojnë akoma mundësitë e barabarta për qasje në arsim dhe shërbime të tjera. Në veçanti, tek femrat nga kategoritë e prekshme që janë grupe specifike, ku edhe zhvillohen aktivitetet e shoqatës. Ajo që na shqetëson është se diskriminimi gjinor është i pranishëm në çdolloj shërbimi”, tha për KOHA, Josifovska.
Ndryshe, të dhënat botërore tregojnë se vajzat janë tre herë më keq të ushqyera se djemtë, çdo vit rreth dy milionë vajza të moshës 5 deri në 15 vjeç trafikohen, shiten ose detyrohen të punojnë në tregtinë e seksit, si dhe vazhdojnë të përballen me pengesa të shumta si në arsimim, ashtu edhe në shërbime të tjera bazë. Në aspektin shëndetësor, të dhënat tregojnë se një foshnje-vajzë, ushqehet me gji nga nëna deri në tetë javë më pak se një foshnja-djalë. Në aspektin social vihet re se 1 në çdo 3 vajza martohet para moshës 18-vjeç. Rreth gjysma e të gjitha vajzave në vendet në zhvillim më të ulët bëhen nëna para se ato të jenë 18-vjeçe, ndërsa rreth 36 milionë vajza nuk janë të regjistruara në shkollë. (koha.mk)