Përveç varfërisë dhe mungesës së çerdheve, fëmijët tanë fatkeqësisht përballen vazhdimisht me pasojat e egra të mentalitetit tonë i cili justifikon dhe imponon përdorimin e metodave të ashpra dhe të dhunshme të edukimit. Sipas një studimi të UNICEF në vitin 2017, 79% e prindërve kanë përdorur të paktën 1 metodë të dhunshme për ‘edukim’ të fëmijëve të tyre, ndërsa vetëm 21% e prindërve kanë përdorur vetëm metoda pozitive të edukimit të fëmijëve. Imagjinoni, 8 nga 10 fëmijë tek ne rriten me dhunë psikologjike ose fizike, ndërsa lëre që ne si shoqëri e pranojmë si normale dhe nuk e raportojmë dhunën ndaj fëmijëve
Nga Omer AJDINI
Të martën e kaluar, pra me 1 qershor, u kremtua Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve, ditë e cila u shpall si e tillë në vitin 1925 në Gjenevë të Zvicrës gjatë Konferencës Ndërkombëtare për Mirëqenien e Fëmijëve. Pra që nga ajo ditë, Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve kremtohet çdo vit dhe rikujtohet se si është gjendja e fëmijëve anë e mbanë botës dhe si duhet të jetë ajo.
Për shumë prej nesh fëmijët janë qenie të pafajshme dhe të brishta, të cilat përveç se duhet të duhen dhe të përkëdhelen, duhet edhe të trajtohen e të edukohen me shumë butësi dhe mirësjellje në mënyre që rritja e tyre të mos lerë pasoja psikologjike apo fizike të cilat pastaj mund të ndikojnë në formësimin e tyre si të rritur. Fatkeqësisht, realiteti botëror por edhe ai lokal tregon që për shumë fëmijë kjo qasje nuk është realiteti i tyre i përditshëm dhe ato përballen me pasojat nga më të ndryshmet dhe më të tmerrshmet. Për shembull, sipas UNICEF, diku 356 milion fëmijë aktualisht jetojnë në familje të cilat janë nën pragun e varfërisë ekstreme, pra që jetojnë me më pak se 1.9 dollar në ditë. Pjesa dërmuese e këtyre fëmijëve përballen me të gjitha pasojat që i sjell varfëria, pra me mungesë të ushqimit të mjaftueshëm ditor, me mungesë të qasjes në arsim dhe edukim, me dhunë psikologjike apo fizike, dhe çka jo tjetër. Pra realiteti për miliona fëmijë është edhe më i trishtë sesa mund ta kap imagjinata jonë!
Në Maqedoninë e Veriut situata nuk duket të jetë më e mirë. Tek ne përafërsisht 100,00 fëmijë jetojnë në varfëri, ndërsa sipas UNICEF, nuk është bërë mjaftueshëm që të zvogëlohet niveli i varfërisë tek fëmijët, meqë shkalla e varfërisë tek fëmijët në vitin 2010 ishte diku 32.1% ndërsa pas 8 vitesh, pra në 2018 u zvogëlua vetëm me 2.8%, pra në 29.3%. Kjo ka ndodhur kryesisht sepse programet të cilat janë të destinuara që të nxjerrin familjet dhe fëmijët nga varfëria janë jo-efektive, edhe atë për arsye të ndryshme siç janë: mungesa e informacionit që kanë familjet për programet të cilat mund të sigurojnë asistencë për kategorinë në të cilën ato gjinden; procedurat e rënda të aplikimit; apo edhe mungesa e qasjes në shërbime esenciale të cilat do të mundësonin efektivitet të programeve të asistencës. Pra siç duket qeveritë e njëpasnjëshme kanë dështuar në zvogëlim të varfërisë tek fëmijët dhe qindra mijëra fëmijë sot nuk rriten në kushtet të cilat sigurojnë lumturi dhe formësim të mirëfilltë të karakterit njerëzor.
Është interesante që varfëria tek fëmijët nxjerr në pah edhe një element karakterizues të shtetit tonë: pabarazinë në mes të regjioneve dhe të etnive. Kjo pabarazi vërehet që nga dita kur një fëmijë lind dhe ajo ndikon në jetëgjatësinë e tij. Për shembull, përderisa shkalla e vdekshmërisë së foshnjave në regjionin e Vardarit është 4, në pjesën e Pollogut është 8.7, pra më shumë se një herë më e lartë se pjesa e Vardarit. Në anën tjetër, në rajonin e Pellagonisë vetëm 1 në 10 fëmijë jeton në varfëri, ndërsa në pjesën e Maqedonisë veri-lindore çdo i dyti fëmijë jeton në varfëri. Edhe përkundër këtyre fakteve të pakontestueshme, fokusi i politikave qeveritare mbetet i pa-orientuar në drejtim të zbutjes së pabarazisë gjë e cila fatkeqësisht lë në disavantazh një fëmijë vetëm për faktin që fati i tij deshi që ai të lind në një pjesë të shtetit ku gjasat janë të mëdha që ai të jetë i varfër!
Në anën tjetër, arsimi tek ne mbanë fëmijët tanë gjithmonë një hap prapa shokëve të tyre nëpër vendet e rajonit dhe botës. Për shembull, edhe pse regjistrimi në edukimin parashkollor te fëmijët e moshës 3 deri në 6 vjeç është rritur nga 21.8% në 2007 tek-diku 30% kur po flasim, shkalla e regjistrimit në arsim parashkollor mbetet e ulët në krahasim me vendet fqinje. Për shembull, në Shqipëri 80% e fëmijëve ndjekin edukim parashkollor, në Mal të Zi 56%, ndërsa në vendet e OECD-së 95%. Pra Maqedonia si në rajon ashtu edhe në Evropë është ndër vendet ku fëmijët më së paku ndjekin arsim parashkollorë, i cili sipas hulumtimeve të ndryshme është i lidhur direkt me probabilitet më të lartë të suksesit në vitet e mëvonshme të shkollimit. Siç duket për qeveritë tona dhe për komunat me të cilat qeverisin partitë qeveritare më të rëndësishme janë begatonkat sesa çerdhet për fëmijë dhe suksesi i tyre në jetë!
Përveç varfërisë dhe mungesës së çerdheve, fëmijët tanë fatkeqësisht përballen vazhdimisht me pasojat e egra të mentalitetit tonë i cili justifikon dhe imponon përdorimin e metodave të ashpra dhe të dhunshme të edukimit. Sipas një studimi të UNICEF në vitin 2017, 79% e prindërve kanë përdorur të paktën 1 metodë të dhunshme për ‘edukim’ të fëmijëve të tyre, ndërsa vetëm 21% e prindërve kanë përdorur vetëm metoda pozitive të edukimit të fëmijëve. Imagjinoni, 8 nga 10 fëmijë tek ne rriten me dhunë psikologjike ose fizike, ndërsa lëre që ne si shoqëri e pranojmë si normale dhe nuk e raportojmë dhunën ndaj fëmijëve, por edhe organet shtetërore duket ta kenë internalizuar këtë mentalitet dhe bëjnë shumë pak apo aspak për ndryshim të kësaj gjendje të tmerrshme.
Fëmijët tanë janë ndoshta shtresa më e pambrojtur e shoqërisë tonë, dhe ata sikur të gjithë ne, po i vuajnë pasojat e një sistemi jofunksional si të shëndetësisë, ashtu edhe të sigurisë dhe të mirëqenies. Koha është që për vogëlushët tanë të qeveriset mirë, dhe ajo kohë do të vijë shumë shpejt!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)