Gostivar, 7 gusht – Në ceremoninë e ndarjes së akt-vendimeve për legalizimin e 14 xhamive dhe objektit ndihmës së Muftinisë së Gostivarit, Mufiu i Bashkësisë Fetare Islame – BFI, në Gostivar Shaqir. Ef. Fetahu u shpreh se “sot jam shumë i lumtur që po përjetojmë lajmin dhe vendimin që e llogaris të madhe dhe historik për legalizimin e një numri të madh të objekteve fetare, xhami apo mektepe. Kjo do të thotë që përfundimisht objektet tona fetare do të kenë tapitë e tyre, kufijtë e tyre dhe do të sigurohen përgjithmonë si objekte”, raporton Agjencia e Lajmeve Flaka.
“Legalizimi nga ana e Komunës, pikërisht synon këtë qëllim”, vijoi Fetahu duke shtuar që: “Ne sot duhet të mburremi që bashkëpunimi Komunë – Muftini, bënë një vepër kaq madhore sa që nuk do të jetë një e mirë vetëm për Muftininë, por për Bashkësinë Fetare Islame të Maqedonisë.
“E them këtë, sepse ky akt filloi në Komunën e Gostivarit me në krye Nevzat Bejtën shumë vite më parë, saqë në qytetet e tjera nuk kanë pasur njohuri se ç’do të thotë legalizim i objekteve fetare. Kjo do të thotë që këtë vepër që bën Komuna e Gostivarit do të trason rrugën që edhe Muftinitë e tjera në Maqedoni të merren me seriozisht me këtë punë, sepse, ky akt, ua bëri me dije se kjo punë është e mundur dhe duhet që të transferohet edhe në Muftinitë e tjera. Në terminologjie Islame, kjo vepër llogaritet e shenjtë”, vijoi Fetahu. Të jesh në shërbim të objekteve fetare, tha Fetahu, të zyrtarizosh dhe legalizosh një objekt fetar është një vepër e madhe.
“Prandaj, Komuna e Gostivarit në krye me z. Nevzat Bejta kanë bërë një vepër të madhe, një vepër që respekton besimin Islam, që respekton Zotin, që respekton besimtarët Islam, që respekton të gjithë njerëzit në përgjithësi. Veprën e madhe duhet ta përhapim jo për shkak të Nevzat Bejtës, jo për shkak meje ose për shkak të hoxhallarëve, por për të inspiruar njerëzit që të bëjnë vepra madhore. Edhe Zoti e thotë që: Begatinë e madhe që ua dhuroi, flitni për ata që edhe njerëzit të jenë bartës të veprave madhore. Dëshiroj ta cek që vetëm për legalizimin e objektit të Muftinisë, Komuna na ka falur mbi 30 mijë euro, mos flasim për ndihmën dhe kontributin e madh që është dhënë nga Kryetari Bejta dhe Komuna e Gostivarit në procesin e denacionalizimit të pronave të Bashkësisë Fetare Islame të Gostivarit. Fal procesit të denacionalizmit dhe rikthimit të pronave, sot kemi selinë e Muftinisë më të mirë në Maqedoni, kemi objektin e ri të Medresesë i cili po ashtu do të legalizohet, si dhe shumë e shumë vepra të tjera madhore”, vijoi tutje Fetahu. Bashkëpunimi ynë me kryetarin Bejta dhe Komunën e Gostivarit,tha Fetahu, nuk ka qenë bashkëpunim individual dhe për interesa personale, por për të mirën e përgjithshme dhe në shërbim të nevojave dhe kërkesave të kohës, vendit dhe popullit në përgjithësi.
Me këtë rast u ndanë akt-vendime të plotfuqishme për legalizim të objekteve të Xhamisë së Kadrit, Xhamisë së Lajthisë, Xhamisë Loke të fshatit Çegran, Xhamisë së vjetër në fshatin Çegran. Xhamisë së re, të vjetër dhe Xhamisë së Bedrit në fshatin Forinë, Xhamisë së re dhe të vjetër të fshatit Balindoll, Xhamisë së re dhe të vjetër të fshatit Debresh, Xhamisë së Fazanerisë, Xhamisë së re në fshatin Banjicë e Epërme, Xhamisë së Malësisë, si dhe objektit ndihmës të Muftinisë së Gostivarit.