Jesir Hoxha
Muzikolog
Përpara se të shohim çështjet konkrete interpretative të muzikës ndër shqiptarët, dëshiroj të theksoj që në krye se nga viti në vit, jeta kulturore artistike nëpër qytetet e Maqedonisë është ngritur në nivele të reja cilësore. Aktivitetet dhe organizimet e ndryshme po sjellin një frymë të re e të kulturuar dhe një jetë artistike në ngjitje.
Një kontribut të veçantë në këtë kuadër ka edhe “Skena e Muzikës Serioze Shqiptare”, e cila, gjatë këtyre viteve ka krijuar impaktin e mirëfilltë të një organizimi me kërkesa e cilësi.
Jo më larg, por vetëm më 23 tetor 2018, në sallën e madhe të Filharmonisë në Shkup, u ngjiten në skenë artistët e Filharmonisë Gjermane të Rinit nën drejtimin e dirigjentit dhe pianistit të mirënjohur shqiptar, Desar Sulejmani. Me koncerte dhe repertor të pasur tradicional e bashkëkohor ata kanë filluar turneun e tyre nëpër disa qytete të Maqedonisë, për të arritur me suksese në kryeqendrën e vendit, në Shkup.
Për artdashësit Shkupjanë, ata sollën një program të pasur me vepra të rëndësishme, si Simfonia Nr. 3 në Fa maxhor, op. 90 e Johannes Brahms; Koncert – Rapsodi për violinë, piano dhe orketër harqesh e Fatos Lumanit dhe Rapsodi in Blu e George Gershwin.
Në renditjen e tij koncerti u hap me simfoninë nr. 3 të Brahmsit, e cila radhitet ndër veprat më të mira romantike të muzikës instrumentale simfonike evropiane.
Në një kuadër të tillë, orkestra e Rinit ballafaqoi me sukses gjithë tensionin e veprës dhe muzikalitetin që ajo ka. Megjithatë, duhet theksuar që jo çdo kohë e simfonisë krijonte një impakt të pranueshëm për ekuilibrimin e orkestrës, ose më saktë, për unifikimin e tingullit të gjithë orkestrës e në veçanti, të sektorit të tunxhit. Megjithatë, përkundër kësaj, e vërteta është që orkestra tregonte momente shumë të mira, si nga ana e karakterit, ashtu edhe nga ajo e trajtimit dhe përdorimi të momenteve më pikante të veprës. Në përgjithësi, mendoj se orkestra, sëbashku më dirigjentin Sulejmani, sollën frymën dhe atmosferën romantike emocionale të të gjithë veprës.
Vepra e dytë e koncertit ishte ajo e kompozitorit Fatos Lumani, i njohur tashmë nga publiku nga një opus i gjerë krijimesh në të gjitha zhanret. Sigurisht, vepra e tij kishte një karakter shumë më të ndryshëm nga vepra e Brahmsit, sepse kjo vinte me një mënyrë e koncept të dallueshëm bashkëkohor. E theksojmë këtë, sepse kompozitori Lumani tashmë ka krijuar imazhin e tij të qartë individual dhe cilësia e veprave ka ardhur gjithmonë në rritje.
Vepra erdhi me një karakter shumë impulsiv dhe në momente pikante tregonte tema të bukura, por jo gjithmonë të zhvilluara me një masë të gjërë e në mënyrë të plotë. Gjithësesi, në një kuadër të tillë, puna dhe vepra e kompozitorit Fatos Lumani është për tu vlerësuar në të gjitha pikëpamjet dhe preston për cilësi të qëndrueshme të muzikës profesioniste kombëtare.
Koncerti u mbyll me veprën e kompozitorit George Gershwin.
Ndoshta ishte një zgjedhje e duhur për të përmbyllur një turne të tillë nëpër qytet e Maqedonisë, sepse fryma dhe atmofera që krijon kjo vepër, duke pasur parasysh ritmet dhe gjithë trajtimin e saj, e bën atë të krijojë një impakt të mirë e të pëqyeshëm te publiku.
Në përgjithësi, tërësinë e koncertit mund ta cilësojmë si një shprehje të kulturuar bashkëkohore me vlera të larta artistike dhe ç’është më e rëndësishmja, një imazh të bukur për qytetin e Shkupit dhe të gjithë Maqedoninë.