Me skamnorët edhe në kohë krize

24

Këta 100 persona që u sigurohet ushqim nga kuzhina speciale e kësaj çerdhe janë të nacionaliteteve të ndryshme, dhe se krahas produkteve ushqimore, ndonjëherë ofrohen edhe veshmbathje, të cilat sigurohen nga donatorë të ndryshëm

Urim HASIPI

Tetovë, 25 mars – Që nga viti 2007, edhe në Tetovë funksionon kuzhina popullore e cila përkujdeset që çdo ditë skamnorët të kenë ushqim. Në këtë kuzhinë, në kushte normale përgatitet ushqim për 100 persona, të cilët vet vijnë dhe marrin ushqimin e përgatitur nga kuzhinierët. Por, pas situatës së krijuar me virusin Covid 19, në këtë kuzhinë nuk përgatitet ushqim për personat apo familjet në nevojë. Megjithatë, përkujdesi ndaj personave që luftojnë me mbijetesën nuk mungon edhe gjatë kësaj periudhe të jashtëzakonshme. “Si zakonisht, në këto situata kur nuk mundemi të përgatisim ushqim, në bazë të udhëzimeve edhe të qeverisë ku një kuzhinier nuk duhet që çdo ditë të përgatis ushqim, prandaj ne kemi vendos që rasteve sociale t`u jepen pako me ushqime që ata vet në shtëpi t’i përgatisin. Bëhet fjalë për 100 persona, të cilëve rregullisht u ndahen pako me ushqime, pra me një fjalë atë që ne kemi përgatitur këtu në kuzhinë si ushqim, ua ndajmë atyre”, tha Ramije Dauti, drejtoreshë e Çerdhes “Rinia” në Tetovë.

Pakot ushqimore nuk ndahen çdo ditë, por një herë në javë. “Çdo të hënë, nga ora 9 deri ora 12, vijnë, marrin pakot dhe shkojnë. U jepen më shumë pako të nevojshme që të kalojnë një javë me atë ushqim por edhe me gjëra tjera. Krahas udhëzimeve të qeverisë, ishte edhe kërkesë e vet personave që mos frekuentojnë çdo ditë kuzhinën popullore por një herë në javë”, theksoi drejtoresha Ramije Dauti.

Në çerdhen “Rinia” në Tetovë gjendet një kuzhinë speciale që në popull njihet si kuzhinë popullore ku ofrohet ushqim. Kjo kuzhinë popullore, nga e hëna në të premten, përgatitë dhe shpërndan ushqime për familjet në nevojë dhe të pastrehët nga Tetova dhe rrethina. Sipas informacioneve nga drejtuesit e Çerdhes “Rinia”, ditën e premte atyre u jepet ushqim edhe për vikend. Nga çerdhja “Rinia” thonë se mjetet për këto produkte ushqimore, të cilat shpërndahen për familjet në nevojë dhe skamnorët, sigurohen nga Ministria e punës dhe politikës sociale dhe Komuna e Tetovës. “Në kushte normale, këtyre personave u ofrohet ushqim i ngrohtë dhe vijnë më shumë ata që nuk kanë mundësi të sigurojnë ushqim, gjegjësisht skamnorët, por edhe ata që janë të pastrehë. Ushqimi u servohet në mesditë, ata vijnë e marrin me vete ushqimin. Po ashtu përkujdesemi që ditën e premte të ndahet ushqim më shumë, pra që këta persona të kenë edhe gjatë ditëve të vikendit, sepse të shtunën dhe të dielën nuk punojmë, por atyre u sigurojmë ushqim të konservuar”, thotë Dauti.

Këta 100 persona që u sigurohet ushqim nga kuzhina speciale e kësaj çerdhe janë të nacionaliteteve të ndryshme dhe se krahas produkteve ushqimore, ndonjëherë ofrohen edhe veshmbathje, të cilat sigurohen nga donatorë të ndryshëm. “Gjithashtu ka organizim për t`u dhënë veshmbathje këtyre personave, apo atyre që nuk kanë në këtë kohë se çka të veshin. Kjo mundësohet nga ana e Komunës, gjegjësisht ne e bartim si drejtori kërkesën deri te Komuna për nevojat që kanë. Deri më tash nuk kemi patur refuzim nga ana e kryetares për kërkesat që i kanë këta persona”, tha ajo. Kuzhina popullore është e vendosur në objektin e Çerdhes për fëmijë “Rinia” në Tetovë. (koha.mk)

Comments are closed.