Dituria mbetet faktor kryesor i rritjes së konkurrencës së një ekonomie për shkak se vlera e një biznesi në një pjesë të madhe krahas faktorëve të tjerë, rritet edhe përmes shkathtësive, potencialit intelektual, inovacionit e kështu me radhë. Në këtë drejtim duhet përkrahur edhe iniciativën e odave ekonomike për rritjen e financimit të arsimit të nga 3.7 për qind në 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto apo në së paku 500 milion euro në vit
Nga Fisnik PASHOLLI
Banka Botërore gjatë prezentimit të fundit të raportit të rregullt ekonomik për Ballkanin perëndimor sërish e aktualizoi çështjen e produktivitetit të ekonomisë së Maqedonisë së Veriut. Ekspertët e këtij institucioni relevant ndërkombëtar kanë paralajmëruar se rritja e pagave qoftë mesatare, qoftë minimale në shtet duhet të ecin së bashku dhe jo ndaras me rritjen e produktivitetit të ekonomisë vendore. Pra nga Uashingtoni sërish na kanë përkujtuar për një nga dobësitë kryesore të ekonomisë vendore, atë të konkurrencës akoma të dobët të kompanive dhe bizneseve në vend, që të përballen me konkurrencën e fuqishme në BE. Përzierja e tepër e shtetit në ekonomi dhe biznes, ndonëse ndonjëherë më qëllimet më të mira për të rigjallëruar atë dhe për të tejkaluar problemet e shkaktuara nga kriza globale ekonomike, megjithatë lë për të dëshiruar. Fakti se shteti akoma është punëdhënësi dhe kontraktuesi më i madh , se në një pjesë të ekonomisë kemi monopole apo edhe oligopole të heshtura flet se akoma kemi shumë punë që të krijojmë një ekonomi konkurruese që do të hapë vende të reja dhe mirë ta paguara të punës në sektorin privat, të kemi me mijëra e mijëra sipërmarrës me ide , prodhime dhe shërbime të reja , në vend se qytetarët të rendin të ikin jashtë për paga për më të mira.
Bile edhe analizat e ndryshme tregojnë se si shtet do kemi vështirësi në periudhën e ardhshme që të financojmë dhe mirëmbajmë edhe Fondin Pensional dhe Fondin Shëndetësor për shkak se të punësuarit në sektorin privat në Maqedoni mbajnë në shpinë edhe mbi 250 mijë të papunë dhe mbi 300 mijë pensionistë.
Në 20 apo 30 vitet e kaluara, të gjithë qeveritë me më shumë apo më pak sukses janë përpjekur të mbështesin kreditimin e biznesit vendor si kusht kryesor me zhvillimin e kompanive të vendit të rritet edhe produktiviteti. Mirëpo akoma mungon kreditimi shumëvjeçar prej 15 apo 20 vitesh i mbështetur nga shteti për projekte serioze të investimit në prodhime, teknologji dhe punësime të reja. Akoma sfidë mbetet përmirësimi i strukturës së eksportit që do të dominohet nga prodhimet me vlerë të shtuar dhe jo nga lëndët e para. Apo akoma kemi probleme me konkurrencën e ekonomisë vendore që shpesh matet edhe me mundësinë e kthimit të investimit apo shkallën e shpagimit të kapitalit të investuar.
Dituria mbetet faktor kryesor i rritjes së konkurrencës së një ekonomie për shkak se vlera e një biznesi në një pjesë të madhe krahas faktorëve të tjerë, rritet edhe përmes shkathtësive, potencialit intelektual, inovacionit e kështu me radhë. Në këtë drejtim duhet përkrahur edhe iniciativën e odave ekonomike për rritjen e financimit të arsimit të nga 3.7 për qind në 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto apo në së paku 500 milion euro në vit. Mirëpo edhe këtu nevojitet një kujdes më i madh i mbështetjes dhe ndërlidhjes së hulumtimeve, shkencës , biznesit, prodhimit , shërbimeve dhe eksportit që nesër do të sjellë përfitime për shtetin në aspektin e punësimit në veprimtari moderne,vende mirë të paguara pune, ringjalljen apo edhe hapjen e instituteve të reja shkencore. (koha.mk)