Më shumë se pesëqind pjesëtarë të forcave të armatosura të Venezuelës e lëshuan ushtrinë dhe ikën në Kolumbi pasi më 23 shkurt nuk arriti të hyjë ndihmë humanitare në vend me kërkesë të opozitës, kumtoi dje shërbimi kolumbian për emigrantë.
Më shumë se 567 ushtarë dhe policë “të cilët kishin kërkuar ndihmë nga shërbimi kolumbian i emigrantëve” kishin hyrë përmes rajoneve kolumbiane Santanderi Verior dhe Arauka, përgjatë kufirit me Venezuelën.
Shërbimi i emigrantëve, i cili nuk i bën të ditura aktet e dezertorëve, e përpunon secilin rast individualisht dhe me këtë secilit i jep leje për kalim të përkohshëm.
“Nëse nuk e rrezikojnë sigurinë e vendit, udhëhiqet procedurë për miratim të azilit”, deklaroi drejtori i shërbimit Kristian Krueger.
Lideri i opozitës Huan Guaido, të cilin si president të përkohshëm të Venezuelës e pranuan rreth 50 vende, përfshirë edhe Kolumbinë, premtoi amnisti për ushtarët dhe policët, të cilët do ta lëshojnë Nikollas Maduron.
Largimet e para nga armata ishin vërejtur të shtunën, pasi Guaido nga Kukuta bëri të ditur kalimin e kamionëve me dhjetëra tonë ushqim dhe ilaçe, të cilët ishin dërguar me kërkesën e tij nga SHBA-ja, ndërsa nga 7 shkurti ato vendosen në magazina.
Por, konvojet duhet të kthehen në orët e mbrëmjes për shkak të mbylljes së kufirit, me urdhër të regjimit, që kaloi në dhunë. Së paku katër persona humbën jetën, ndërsa qindra të tjerë ishin lënduar në kufirin me Kolumbinë dhe me Brazilin, ku ndihma, gjithashtu, pritet.
Venezuela ka rreth 365.000 ushtarë dhe policë dhe 1,6 milionë policë civilë. (koha.mk)