Tetovë, 21 mars – Rreth orës 16.00 ka shpërthyer zjarr në kulmin e një ndërtesë që gjendet në afërsi të shkollës fillore “Liria” në Tetovë, përballë gjykatës së Tetovës. Zjarri fillimisht ka shpërthyer në pjesën e nënkulmit dhe ka përfshirë edhe kulmin e kësaj ndërtese. Me intervenimin e zjarrfikësve të Njësisë territoriale kundër zjarrit në Tetovë flakët janë vënë nën kontroll duke mos lejuar përhapjen e tyre. Poashtu janë evakuar të gjithë banorët nga ndërtesa dhe nuk ka patur të lënduar. Një banore është alivanosur pas evakuimit dhe është dërguar në Spitalin e Tetovës. Banorët e pallatit shprehen të habitur nga zjarri që ka shpërthyer në kulm, ndërsa dyshimet e para janë tek energjia elektrike ose motori i ashensorit Banorët që banojnë në këtë ndërtesë thonë se ndërtesa përbëhet prej 30 banesave, në të cilat jetojnë rreth 30 familje, nďërsa theksojnë se nuk i dinë shkaqet e shpërthimit të këtij zjarri. Përndryshe makineria e zjarrfikësve të Tetovës ka hasur në shumë vështirësi për të arritur deri në vendngjarje, në orët e mbrëmjes në ndihmë të zjarrfikësve ka arritur edhe një makineri e rëndë nga firma private. Përpjekjet e zjarrfikësve kanë vazhduar deri në orët e vona për të lokalizuar zjarrin. Gjatë interevenimit të sotëm është vërejtur mungesa e makinerisë së rëndë me shkallë për njësinë e zjarrfikësve që duhet ti posedojnë në raste kur ka përhapje të zjarrit në ndërtesa të mëdha. (koha.mk)