Laura PAPRANIKU
Shkup, 20 nëntor – Më tepër se gjysma e buxhetit të paraparë për arsim dhe shkencë për vitin e ardhshëm në Maqedoni, do të shpenzohet për bllok-dotacionet dhe dotacionet e dedikuara komunave, respektivisht decentralizmit të arsimit, shkruan gazeta KOHA. Konkretisht, rreth 221.537.000 euro (13.624.557.000 denarë) nga gjithsej 406.550.000 euro (25.002.838 000 denarë) do të shkojnë për transferet rrjedhëse të njësive të vetëqeverisjes lokale, konkretisht për pagat, mirëmbajtjen dhe shpenzimet e ngjashme të cilat kanë shkollat dhe që prej më tepër se një dekadë realizohen përmes të ashtuquajturës decentralizmi i arsimit. Sasi të konsiderueshme të këtij buxheti zë arsimi i lartë, edhe atë me mbi 104 milionë euro (6.411.383.000 denarë), për dallim prej nivelit të arsimit fillor dhe të mesëm, për të cilët është planifikuar të shpenzohen nga rreth 16 milionë euro (970.912.000 denarë), respektivisht mbi 12 milionë euro (757.097.000 denarë).
Investimet kapitale, siç njihen ndryshe, buxhetet e planifikuara për ndërtimin dhe rindërtimin e objekteve shkollore nuk zënë ndonjë pozitë kushedi sa të rëndësishme në buxhetin e 2018-ës. Nga shpenzimet e përgjithshme që ka planifikuar të bëjë vitin e ardhshëm Ministria e Arsimit dhe Shkencës, për ndërtim dhe rindërtim të shkollave dhe sallave sportive janë planifikuar rreth 14.630.000 euro (899.794.000 denarë) e, që është 3.6 për qind e buxhetit të përgjithshëm. Pjesa më e madhe e buxhetit, mbi 221 milionë euro dhe që është 54.5 për qind e buxhetit të përgjithshëm do të shkojë për rroga, transportin e nxënësve, mirëmbajtjen e shkollave, faturat e rrymës elektrike, ujit dhe shpenzime të tjera të kësaj natyre. Për dalim prej vitit të kaluar, për vitin e ardhshëm ka një rritje të lehtë të këtij buxheti, edhe atë në pjesën e bllok-dotacioneve. Kështu, nga 13.020.000.000 denarë që ishin vjet për bllok-dotacionet, për 2018-ën janë paraparë 13.621.557.0000 denarë. Pjesa e dotacioneve të dedikuara, ka mbetur në të njëjtin nivel, pra nga 3.000.000 denarë, duke rezultuar me rreth 10 milionë denarë (601.557.000 denarë) rritje të buxheti për arsimin e decentralizuar. Pra, nga 211.756.100 euro (13.023.000.000 denarë) sa ishte ky zë i buxhetit të arsimit në vitin 2017, për vitin e ardhshëm është caktuar një buxhet prej 221.537.000 euro (13.624.557.000 denarë). Në pjesën e shpenzimeve administrative, buxheti i 2018-ës ka planifikuar 420.526.000 denarë, edhe atë 7.210.000 denarë për mbështetje për implementimin e strategjisë dekada e romëve, 1.114.000 denarë për kornizën nacionale të kualifikimeve dhe 3.100.000 denarë për arsimin e integruar.
Përveç shpenzimeve, të cilat parashihen për arsimi fillor (970.912.000 denarë) të mesëm (757.097.000 denarë) dhe të lartë (6.411.383.000 denarë), buxheti planifikon shpenzime edhe standardin e nxënësve (411.800.000 denarë), standardin e studentëve (858.400.000 denarë) apo për shkencën (425.998.000 denarë), raporton KOHA. Te investimet kapitale të shkollave fillore dhe të mesme, bie në sy orientimi i buxhetit në masë më të madhe për ndërtimin e shkollave fillore dhe ndërtimin e sallave sportive të shkollave fillore. Për qëllimin e parë janë planifikuar 162.600.000 denarë, për qëllimin e dytë 248.458.000 denarë, ndërsa për rikonstruimin e shkollave fillore 50.000.000 denarë. Për investimet kapitale në arsimin e mesëm, pjesa më e madhe e buxhetit është për ndërtimin e konvikteve, edhe atë 270.000.000 denarë. Pastaj vinë në radhë mjete për ndërtimin e sallave sportive (68.736.000 denarë), për ndërtimin e shkollave të mesme (40.000. 000 denarë), për rekonstrumin e shkollave të mesme (30.000.000 denarë) si dhe për rikonstruimin e konvikteve të shkollave të mesme gjithashtu (30.000.000 denarë). Në total, buxheti i investimeve kapitale në nivelin e arsimit fillor dhe të mesëm kap vlerën e 899.794.000 denarë.
Buxheti për vitin 2018, sipas shpenzimeve që janë planifikuar të bëhen nga ana e Ministrisë të Arsimit dhe Shkencës, është caktuar të jetë (rreth 406.550.000 euro) 25.002.838 000 denarë.
Në përgjithësi, buxheti për MASH-in është rritur nga viti i kaluar edhe atë për mbi 1 miliardë denarë më shumë. Pra, nga 19.794.507.000 denarë sa ishte buxheti i vitit 2017, për vitin tjetër janë planifikuar 20.863.590.000 denarë. (koha.mk)