Fisnik PASHOLLI
Shkup, 4 korrik – Një nga sfidat më të mëdha të bizneseve familjare është situata kur rritja e kompanisë i tejkalon kapacitetet e themeluesit, që njëherazi është edhe menaxher gjeneral edhe mban kujdes edhe për financat, shitjen, marketingun , pagesën etj, andaj edhe vjen momenti kur kërkohet profesionalizim më i madh i biznesit, shkruan gazeta KOHA. Njëherazi 70 për qind e bizneseve familjare në nivel botëror dështojnë pas transferimit nga prindërit tek fëmijët si rrjedhojë e mungesës së planit të trashëgimit të biznesit dhe vizionit të mëtejshëm për zhvillimin e kompanisë, që si trend në një pjesë të madhe është prezent edhe në Maqedoni dhe rajon. Me fjalë të tjera, më shumë se gjysma e bizneseve familjare pushojnë së vepruari kur kalojnë tek gjenerata e dytë apo e tretë e udhëheqjes. Në mesin e shumë faktorëve ndikues që çojnë tek falimentimi është edhe mungesa e një plani konstruktiv të trashëgimisë, i cili e qartëson udhëheqjen e firmës në të ardhmen. Këtë e mbështet edhe hulumtim i “Price Vaters House” , shtëpisë ndërkombëtare konsulente për çështje financiare, e realizuar në mbi 2400 firma në tërë botën në vitin 2014 , që tregon se një nga sfidat më të mëdha të bizneseve familjare është plani për trashëgimin e menaxhimit të kompanisë. Njohësit e kësaj fushe , thonë se nuk ekziston një recetë e suksesshme e kalimit me sukses të timonit menaxhues në firmë. Megjithatë shtojnë se kryesorja është që gjeneratat e ardhshme të njohin mirë procesin e punës, si dhe të ketë kalim me sukses nga faza e sipërmarrjes në fazën e menaxhimit profesionist, gjegjësisht të ngrihet strukturë organizative sipas së cilës do të dihet se kush për çka vendos dhe për çka përgjigjet.
“Nevojitet një plan sipas të së cilit do të vendoset fëmija në biznes , pa marrë parasysh se a është ky trashëgimtari ose ndonjë menaxher profesionist . Duhet marrë parasysh edhe faktin se jo çdo herë fëmija dëshiron të ecë hapave të prindërve, dhe nuk duhet që me çdo kusht që fëmija patjetër ta vazhdojë karrierën e tij në biznesin familjar. Nga ana tjetër, ato fëmijë që janë të interesuar të udhëheqin bizneset familjare duhet të kalojnë nga faza e sipërmarrjes së udhëheqjes së kompanisë në udhëheqjen menaxheriale të kompanisë”, thotë Sonja Galevska konsulente në qendrën e trajnimit Klir Vju.
Në ndërkohë, të gjithë ato që kanë biznes familjar mund të dëshmojnë për sfidat e përditshme në punë e tyre duke filluar nga vendosja e biznesit në binarë të vërtetë që do tu sjellë sukses dhe profit afatgjatë si dhe ndarjes së marrëdhënieve familjare me ato të biznesit.
“ Dobësitë kryesore të bizneseve familjare në Maqedoni dhe rajon janë mos dallimi midis pronësisë dhe menaxhimit të biznesit, trashëgimtarët nuk dinë se çka presin themeluesit e biznesit nga to, çka duhet të mësojnë ose të bëjnë që ti lëshojnë të udhëheqin bizneset, themeluesit nuk kanë ide të qartë se çka do të bëjnë kur të pensionohen , kompanitë në një pjesë të madhe udhëhiqen si punëtori zanatesh edhe pse numërojnë me dhjetëra, qindra apo edhe mijëra të punësuar”, thotë konsulenti i biznesit, Boris Vukiq. Sipas tij, vonesat në tranzicionin e biznesit familjar në shtetet e rajonit , bëhen me arsyetimin se nuk do të dështojmë sot nëse nuk organizohemi ose nuk i definojmë politikat familjare, andaj edhe anulohen përgatitjet për kalimin e biznesit në fazën e re të punës dhe udhëheqjes. Vukiq shton se në kushtet tona ballkanike nevojitet që të bisedohet për një gjë të tillë me kohë, me qëllim që të gjendet zgjidhje për këtë problem . Krahas profesionalizimit të udhëheqjes së kompanisë nevojitet edhe “një copë letër”, ku do të vendosen politikat familjare, gjegjësisht plani i detajuar për trashëgimin e biznesit, punësimet ,shpërblimet , ndarjen e fitimit, shitjen e një pjese të biznesit e kështu me radhë.
Ekonomistët thonë se në shtetet e rajonit, familja, sipas përkufizimit , paraqet një institucion pothuajse të shenjtë, ku relacionet e afërta të brendshme tentohen të ruhen nëpër gjenerata. I shtyrë nga ky mentalitet kolektiv, kryefamiljari heziton që ta definojë qartë pronësinë e tij dhe transferimin e kësaj pronësie, gjithnjë nën supozimin se afërsia në mes të anëtarëve, pavarësisht gjeneratave, do mbetet e njëjtë. Mos-përpjekja për ta projektuar qartazi trashëgiminë pronësore sjellë mjaft telashe tek pasardhësit. Jo rrallë herë, në vend se të kontribuojë në forcimin e marrëdhënieve brenda familjes, vonesa në bartjen e biznesit familjar vetëm i përkeqëson ato, duke e penguar zhvillimin dhe qëndrueshmërinë e tyre.
Nga ana tjetër, vlerësohet se bizneset familjare kanë edhe mangësi por edhe përparësi të ndryshme. “ Angazhimi në biznesin familjar shpesh është shumë i rëndë dhe plot me stres, punoni më shumë seç është e zakonshme, kujdeseni edhe për punën edhe për familjen si dhe menaxhoni me konfliktet që janë konstant kur punoni me familjarët e juaj. Keni problem nëse duhet të lëshoni ndonjë anëtar të familjes nga puna për shkak se i këputni marrëdhëniet me një pjesë të familjes, si dhe keni frikë të madhe nga mos-suksesi për shkak se bëhet fjalë për pasurinë familjare dhe mirëqenien e saj. Nga ana tjetër punoni në një ambient me përkrahje , besim dhe mirëkuptim të madh”, thonë për KOHA konsulentët e biznesit.
Ndryshe, në shtetet e Bashkimit Evropian është vlerësuar se ekzistojnë rreth 17 milionë kompani, të cilët e kanë karakterin e kompanive familjare dhe të cilët punësojnë rreth 45 milionë njerëz. Në SHBA rreth 150 kompani më të mëdha familjare punësojnë pothuajse gjashtë milionë njerëz. Një e treta e këtyre kompanive kanë vlerë edhe në bursë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.