Arab Center Washington DC (ACW) dhe Arab Center for Research and Policy Studies (ACRPS), qendra e të cilave ndodhet në Washington prezantuan rezultatet e sondazhit një mujor lidhur me politikat e jashtme të SHBA-ve dhe të presidentit të saj, Donald Trump. Sondazhi i zhvilluar mes datave 14 shtator-13 tetor, me pjesëmarrjen e gjithsej 3.200 të anketuarve nga Egjipti, Jordania, Kuvajti, Libani, Maroku, Palestina, Arabia Saudite dhe Tunizia, tregon se 61 për qind e arabëve kanë qëndrim negativ ndaj politikës së SHBA-ve në botën arabe. Sipas sondazhit, 58 për qind e arabëve kanë mendim negativ ndaj Trumpit ndërsa 56 për qind e tyre mendojnë se Trumpi është anti-musliman. Vetëm 17 për qind e pjesëmarrësve të sondazhit besojnë se presidenca e Trumpit përmirëson politikën e SHBA-ve ndaj botës arabe. Ky opinion në mënyrë më të përhapur shihet në Arabinë Saudite, të cilën e ndjekin Egjipti dhe Kuvajti. Njëra nga menaxheret e ACW-së, Tamara Kharroub në një konferencë për media në Washington tha se pothuajse gjysma e arabëve të cilët kanë marrë pjesë në sondazh (48 për qind), përkundër opinioneve pozitive ndaj SHBA-ve, kanë përshtypje negative ndaj politikës së saj në rajon. Kharroub thotë se sondazhi ka zbuluar se qëndrimi ant-amerikan në botën arabe ka si objektiv politikat rajonale të SHBA-ve. “Sipas rezultateve, 61 për qind e arabëve pjesëmarrës në sondazh, kanë qëndrim negativ ose të paktën mendim jo të mirë ndaj politikës së SHBA-ve në botën arabe. Ndërsa ata që treguan qëndrim negativ ose të paktën mendim jo të mirë ndaj popullit amerikan është 25 për qind”, tha Kharroub.