Me moton “Të mos e anashkalojmë askënd – Ujë për të gjithë” sot shënohet Dita Botërore e Ujit.
Në këtë mënyrë bëhet thirrje për të drejta të barabarta për qasje deri te uji më i sigurt për të gjithë njerëzit, si dhe të potencohet trendi global i uljes së rezervave të ujit, të shkaktuara nga shpenzimi joracional i tij dhe mospastrimi i ujit.
Prej vitit 1993 me vendim të Asamblesë së Përgjithshme të KB-ve, çdo vit më 22 mars shënohet Dita botërore e ujit me qëllim që të ngrihet vetëdija e opinionit për rëndësinë e ujit dhe të promovohet përdorimi i qëndrueshëm i resurseve ekzistuese të ujit.
Por, përkundër faktit që uji i sigurt dhe i pastër për pije, si dhe kushte përkatëse sanitare janë e drejtë e njeriut edhe në shënimin e Ditës botërore të ujit, të dhënat janë dështuese. Thuajse një e treta e popullatës botërore nuk ka qasje deri te uji për pije.
Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, sot më shumë se dy miliardë njerëz në mbarë botën jetojnë pa ujë të pijshëm në shtëpitë e tyre. Rreth katër miliardë njerëz përballen me mungesë të ujit në kohëzgjatje prej së paku një muaji brenda vitit, derisa përafërsisht 159 milionë njerëz akumulojnë ujë për pije nga ujërat sipërfaqësore – liqene, lumenj dhe përrua. Ekspertët paralajmërojnë se deri në vitin 2030 më shumë se 700 milionë njerëz do të ishin të prekur nga mungesa e ujit. Sot rreth 68,5 milionë refugjatë në mbarë botën kanë probleme me qasjen deri te uji i pijshëm. Çdo vit rreth pesë milionë njerëz në botë vdesin nga sëmundjet e shkaktuara nga uji i ndotur, ndërsa më shumë se 700 fëmijë nën moshën pesë vjeçe për çdo ditë vdesin nga sëmundjet e shkaktuara nga uji i kontaminuar ose kushtet e këqija sanitare.
Qasje universale deri te uji dhe kanalizimi për të gjithë, pa diskriminim
Drejtorja e përgjithshme e UNESKO, Odri Azulaj, në porosinë me rastin e 22 marsit theksoi se “thuajse një e treta e njerëzve në botë përballet me mungesë të ujit të sigurt për pije, ndërsa vetëm dy të pestat prej tyre kanë qasje deri te shërbimet e sigurta sanitare”.
Ajo e thekson nevojën e rritjes së solidaritetit ndërkombëtar veçanërisht me disa rajone të caktuara siç është Afrika Subsahare dhe Azia Jugore, ku furnizimi me ujë dhe kushtet sanitare janë dukshëm të kufizuara.
UNESKO angazhohet për menaxhim gjithëpërfshirës të ujërave meqë “në botë gjithnjë e më të globalizuar vendimet që kanë të bëjnë me ujin i tejkalojnë kufijtë dhe ndikojnë te të gjithë” dhe bën thirrje për “qasje universale deri te uji dhe kushtet sanitare për të gjithë, pa diskriminim, që do të rezultonte me një shoqëri më të barabartë dhe botë më të qetë, të qëndrueshme”.
Si arsye për mungesën e ujit të sigurt janë edhe moskujdesi ndaj mjedisit jetësor, ndryshimet klimatike, rritja e popullatës, urbanizmi në rritje dhe luftërat.
Raporti i sivjetmë i KB-ve për zhvillimin botëror të ujit është përqendruar në temën për përballje me barrierat për qasje deri te uji, veçanërisht për njerëzit më të prekur.
Edhe në shekullin 21 disa njerëz nuk kanë ujë të sigurt për shumë arsye të ndryshme. Qasje deri te ujë i pijshëm dhe kushtet adekuate sanitare nuk kanë grupet e margjinalizuara të njerëzve, si refugjatët, popujt nomad dhe autokton, gratë, fëmijët, të sëmurët, të varfrit, etj. Prandaj thirrja “Ujë për të gjithë” është e drejtuar për gjithë botën, me kërkesë për të gjithë për raport më të përgjegjshëm dhe më human ndaj resurseve të ujit dhe grupeve të ndjeshme.
Uji është e drejtë e njeriut
Kombet e Bashkuara në vitin 2010 “të drejtën e ujit të sigurt dhe të pastër për pije dhe kushtet sanitare e njohu si të drejtë të njeriut, që është e domosdoshme për gëzimin e plotë të jetës dhe të gjitha të drejtave të njeriut”.
E drejta e njeriut për ujë do të thotë qasje e të gjithëve pa diskriminim deri te uji për përdorim personal dhe shtëpiak, që përfshin ujë të pijshëm, për larjen e rrobave, për gatimin e ushqimit dhe për higjienë personale e shtëpiake.
Në vitin 2015 në Konferencën e KB-ve për zhvillim të qëndrueshëm 150 liderë botërorë e miratuan Programin e ri për zhvillim global deri në vitin 2030 me ç’rast janë miratuar 17 qëllime për zhvillim të qëndrueshëm. Veçanërisht i rëndësishëm është qëllimi gjashtë – të sigurohen kushte sanitare dhe qasje deri te uji i pijshëm për të gjithë.
Dita e ujit çdo vit shënohet nën emër tjetër. Motoja e sivjetme është “Të mos anashkalojmë askënd – Ujë për të gjithë”.
Në vitin 1995, Dita e ujit u shënua nën moton “Gratë dhe uji”, në vitin 2004 – “Ujërat dhe katastrofat”, në vitin 2007 – “Si të përballemi me mungesën”, derisa vitin e kaluar “Natyrë për ujë” me theks të posaçëm në aktivitetet që kanë të bëjnë me mbrojtjen e mjedisit jetësor me qëllim që të ulet ndotja dhe të mbrohen resurset e ujit.(koha.mk)