Shkup, 19 dhjetor – Në hapësirat e Drejtorisë së Evidencës së Regjistrave të Amzës, qytetarët në një vend do të marrin më shumë se 40 shërbime nga institucionet shtetërore siç janë Ministria e Punëve të Brendshme, Agjencia për Punësim, Regjistri Qendror, Fondi për Sigurim Pensional dhe Invalidor, Fondi për Sigurim Shëndetësor, Kadastra…
Për këtë qëllim me ndihmën e ekspertit të UNDP-së nga Londra do të ripërshtatet hapësira për të qenë më funksionale dhe e përshtatshme për nevojat e qytetarëve.
Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës Damjan Mançevski konsideron se me këtë do të zvogëlohet koha e pritjes që u nevojitet qytetarëve që t’i marrin shërbimet e nevojshme.
“Sportelet do t’u japin shërbime qytetarëve në dy turne. Ky do të jetë një hap i madh përpara drejt krijimit të një administrate publike e cila do të jetë shërbim i vërtetë i qytetarëve”, tha ministri Mançevski.
Për realizimin e këtij projekti të njohur si “Një pikë e shërbimeve” sot është nënshkruar Memorandum për bashkëpunim me UNDP-në me ndihmën e së cilës do të bëhet analizë horizontale e organeve të administratës shtetërore dhe të agjencive.
“Analiza duhet të na japë një pasqyrë reale për gjendjen me administratën dhe t’i zgjidhë problemet me llogaridhënien brenda në administratë dhe me përputhjen e kompetencave midis institucioneve”, deklaroi Mançevski në promovimin e sotëm të projektit ku mori pjesë edhe koordinatorja e përhershme e KB-së dhe përfaqësuese e UNDP-së Lujza Vinton.
Analiza po zbatohet për herë të parë në Maqedoni dhe konform saj, siç paralajmëroi ministri Mançevski, do të bëhet riorganizim i administratës.