Të dhënat janë në përditësim
■ Ekipet e shpëtimit vijojnë intensivisht kërkimet për të mbijetuar në jug të Turqisë dhe në veri të Sirisë, pas dy tërmeteve të fuqishme të së hënës.
■ Më shumë se 11,104 persona janë konfirmuar të vdekur, megjithatë autoritetet druhen se numri i viktimave mund të vijojë të rritet.
■ Zonat e prekura nga tërmeti po vizitohen këtë të mërkurë nga presidenti turk President Recep Tayyip.
■ Në Turqi, numri i të vdekurve ka shkuar në të paktën 9,057, ndërsa të plagosurit janë mbi 50,000.
■ Në Siri të vrarët janë 2,530, ndërsa të plagosurit mbi 4,000.
■ Përpjekjet për të shpëtuar sa më shumë jetë vijuan edhe në natën e dytë nën temperatura të acarta. Ekipet e shpëtimit janë në luftë më kohën.
■ Ekipe nga të paktën 70 vende të botës, përfshirë Shqipërinë, kanë shkuar në zonat e prekura nga tërmeti.
■ Në Siri mbërritja e ndihmës ndërkombëtare është më e vështirë, për shkak të aksesit të limituar, si pasojë e rrugëve të dëmtuara.
■ Tërmeti i parë me magnitudë 7.8 ra pranë Gaziantep, në orët e para të hënës. Ai u pasua nga një tjetër tërmet i fuqishëm në mesditë, me magnitudë 7.5.
Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan i është kundërpërgjigjur zemërimit të popullit në rritje për përgjigjen e shtetit pas fatkeqësisë së madhe natyrore.
“Është e pamundur të përgatitesh për një fatkeqësi kaq të madhe”, u shpreh Presidenti Erdogan.
Gjatë një vizite në Hatay, një nga rajonet më të goditura nga tërmeti, Presidenti Rexhep Tajip Erdogan u tha gazetarëve se numri zyrtar i të vdekurve ishte rritur në 9,057.
Ndërkohë ata që kanë deklaruar se nuk i kanë parë aspak forcat e sigurisë në disa zona të prekura nga tërmeti, i ka cilësuar si “provokues”.
Gjatë një ndalese tjetër më herët në një nga zonat e prekura nga fatkeqësia, ai pranoi disa probleme, por tha se situata ishte tani “nën kontroll”.
Kritikat nga figurat e opozitës po rriten. Disa pretendojnë se përpjekjet emergjente kanë qenë shumë të ngadalta dhe se nuk është bërë mjaftueshëm për të përgatitur rajonin e prirur nga tërmeti gjatë tetë viteve të tij në detyrë.
BE-ja ka konfirmuar se do të dërgojë 3.5 milionë € ndihmë për Sirinë. Njoftimi erdhi pasi Siria kërkoi zyrtarisht ndihmë sipas një skeme të krijuar për të mbështetur vendet e goditura nga fatkeqësitë natyrore, gjë që ka aktivizuar Mekanizimin e Mbrojtjes Civile të BE-së.
Gjithashtu blloku ka njoftuar një vlerë fillestare prej 3 milionë € ndihmë për Turqinë pasi vendi aktivizoi Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së.
Më herët, korrespondenti i BBC News shpjegoi se dërgimi i ekipeve në Siri do të ishte më i ndërlikuar se Turqia, pasi kontrolli në veri është i ndarë midis qeverisë dhe grupeve rebele.
Ky djalë i vogël qëndroi në rrënojat e tërmetit për më shumë se 45 orë në juglindje të Turqisë.
Quhet Mohamed dhe është 4-vjeç dhe gjëja e parë që u kërkoi pjesëtarëve të ekipeve të emergjencës ishte ujë. Siç duket edhe në pamje, ata ia japin ujin me kapakun e shishes, si i vetmi mjet rrethanor që mund të arrinte mes shtresave të betonit që e kishin zënë poshtë.
Ndërsa këta dy të mitur, motër e vëlla u gjetën të gjallë, të përqafuar mes rrënojave të banesës së tyre. Vajza u kërkon punonjësve ta shpëtojnë atë dhe vëllain dhe mirënjohje për gjithë jetën, premton se do të bëhet skllavja e tyre.
I mbijetuar mes rrënojave për 48 orë, ky djalë i vogël pyet i dëshpëruar punonjësit e kërkim shpëtimit, nëse do i prisnin krahun për të dalë nga vendi ku kishte mbetur.
Të gjallë pas dy ditësh nën rrënoja janë nxjerrë me qindra foshnje, vetëm disa muajshe.
Në rrjetet sociale qarkullon edhe ky filmim i një djali sirian që ka transmetuar drejtpërdrejt momentet kur ishte nën rrënoja dhe ndjesinë e tmerrit që po përjetonte kur lëkundjet vazhdonin.
Edhe pse deri më tani nuk ka shifra të sakta, me mijëra fëmijë janë nxjerrë dhe vazhdojnë të nxirren të gjallë nga rrënojat edhe në ditën e tretë pas tërmeteve të fuqishëm. Sipas OBSH-së, 1.4 milionë fëmijë mendohet se po vuajnë pasojat e lëkundjeve katastrofike.
Ora 15:50–Ekipi shqiptar, në rrënojat e Malatya
Menjëherë sapo kanë mbërritur në Maltija, një nga zonat më të prekura nga tërmeti në Turqi, një nga ekipet që përbëjnë misionin shqiptar të kërkim shpëtimit kanë nisur të punojnë në një pallat, ku dyshohet të ketë rreth 60 persona nën rrënoja.
Endrit Cengu, komandanti i grupit për bazat për mbështetjen e Emergjencave Civile, në një intervistë për Tv Klan shpjegon vështirësitë që kanë hasur dhe gëzimin që kanë ndjerë ditën e djeshme kur kanë nxjerrë gjallë një fëmijë nga rrënojat.
“Para gjysmë ore është bërë e mundur dalja e një trupi të pajetë, ndërsa ditën e djeshme kemi kryer operacion dhe fatmirësisht një fëmijë i vogël u nxorr i gjallë nga rrënojat”.
Ndërkohë që qeveria shqiptare po mendon që të nisë një tjetër ekip drejt Turqisë, ditën e sotme është nxjerrë dhe VKM për misionin e nisur, pasi për të mos humbur kohë ishte firmosur një vendim qarkullues.
“Kontributi jonë nuk është një kontribut modest është i qenësishëm, sepse janë 73 forca nga më të mirat e kërkim shpëtimit”.
Ministrja e Jashtme përsërit se nuk ka shqiptarë të raportuar, që të ketë humbur jetën apo lënduar, por është bërë e mundur nga selitë diplomatike në Turqi komunikimi me familjarët e disa shtetasve me prejardhje shqiptare e shtetësi turke.
“Kemi pasur informacion për rreth 10 familje me origjinë shqiptare. Të parët e tyre janë zhvendoszur në Turqi 100 vite më parë, të cilët fatmirësisht janë kontakt me të afërmit e tyre”.
Nisja e misioneve të kërkim shpëtimit drejt Turqisë u bë si pjesë e Mekanizmit Europian të Emergjencave, ku vendi ynë u bë anëtare vitin e shkuar.
Tv Klan
Ora 15:30-Mbi 11 200 viktima nga tërmeti në Turqi e Siri
Edhe pse operacionet e emergjencës në zonat e shkatërruara nga tërmeti në Turqi dhe Siri kanë hyrë në ditën e tretë, nën rrënoja ka ende shpresë. Këta punonjës të ekipeve të emergjencës në Idlib, në veri të Sirisë, nxorën të gjallë nga rrënojat e një ndërtese të bërë rrafsh me tokën, 6 anëtarët e të njëjtës familje, 4 fëmijët e vegjël dhe prindërit e tyre. Pas kësaj mrekullie, nuk kishte se si të fshihej entuziazmi.
Por pavarësisht se ekipet e emergjencës, jo vetëm nga Turqia, por e gjithë bota, janë në luftë me kohën për gjetjen e të mbijetuarve nën rrënoja, bilanci i viktimave ecën me ritme shumë të shpejta. Deri më tani, kjo shifër ka arritur në mbi 11 200. Më shumë se 8 700 viktima janë shënuar në 10 qytetet turke të goditura nga tërmetet e të Hënës.
Mbi 49 mijë janë të plagosurit në dy vendet. Shifra totale e të prekurve nga lëkundjet e tokës përllogaritet në 23 milionë. Ekspertët presin që numri total i viktimave të jetë rreth 20 mijë, pasi ka ende zona ku operacionet e kërkim shpëtimit janë në faza fillestare.
Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan vizitoi këtë të Mërkurë qytezën e Kahramanmarashit pranë Gaziantepit. Kreu i shtetit turk premtoi rindërtimin strehimin në banesa të reja të të gjithë banorëve të prekur nga lëkundjet shkatërrimtare të tokës, brenda një viti.
Krahas tonelatave me ndihma të ardhura nga vendet aleate, shumë qytetarë nga zona të ndryshme të Turqisë janë solidarizuar me të prekurit nga tërmeti dhe janë dyndur nëpër markete për të mbushur kuti me ushqime për t’ua dërguar atyre.
Tv Klan
Ora 14:30-Gëzim e hidhërim në të njëjtën kohë, trupat shqiptare shpëtojnë 5-vjeçarin. Nxirren 3 viktima nga rrënojat në Turqi
Operacioni i kërkim shpëtimit për mijëra punonjës që janë angazhuar në kërkim të të mbijetuarve në Turqi është i vështirë, jo vetëm për shkak të motit të ftohtë, por sepse sa më shumë kalon koha, aq më të vogla janë shpresat për të mbijetuar.
Megjithatë, teksa kjo e mërkurë shënon ditën e tretë, ekipet kanë mundur të shpëtojnë shumë njerëz, ashtu si edhe në rastin e trupave shqiptare, të cilët në mesditë arritën të nxirrnin të gjallë nga rrënojat një 5-vjeçar në Malatya të Turqisë. I mituri ishte në gjendje të mirë shëndetësore pavarësisht orëve të gjata nën rrënoja.
Lajmi u bë i ditur nga Ministria e Mbrojtjes, e cila po ashtu tha se deri më tani janë nxjerrë 3 trupa të pajetë. Pjesëtarët e ekipit tonë shëndetësor kanë asistuar edhe në dhënien e ndihmës shëndetësore për dhjetëra persona të lënduar.
Ndërkohë, në Turqi ka mbërritur edhe kontingjenti i dytë i forcave shqiptare. Në total Shqipëria ka dërguar 73 trupa të shpëtim kërkimit dhe njësisë ushtarake të shëndetësisë.
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhacka, u shpreh se deri më sot nuk ka informacione për qytetarë me nënshtetësi shqiptare që të kenë qenë banorë të zonave të prekura nga tërmeti në Turqi, por të kenë humbur kontaktet me familjarët e tyre.
Xhaçka u shpreh se në këto zona ka pasur rreth 10 familje me origjinë shqiptare që janë zhvendosur para 100 vitesh në Turqi, që kanë humbur kontaktet me familjarët në Shqipëri, por tashmë janë në kontakt.
Sot që flasim paçka se kemi vënë në dispozicion numra kontakti përmes ambasadës dhe konsullatës apo adresa emaili dhe kemi koordinuar këtë lloj komunikimi nuk kemi asnjë informacion për qytetarë shqiptarë, pra me nënshtetësi shqiptarë, që të kenë qenë pjesë apo rezidentë të këtyre zonave, apo të kenë humbur kontakte me familjarë të tyre. Kemi pasur informacion për rreth 10 familje me origjinë shqiptare. Të parët e tyre janë zhvendosur në Turqi 100 vjet përpara. Pra jo me nënshtetësi shqiptare, por me origjinë shqiptare, që fatmirësisht janë në kontakt me të afërmit e tyre paçka se e kishin humbur atë mnë momentet e para”, u shpreh Xhaçka.
Kryeministri i vendit Edi Rama ka shpërndarë në Facebook-un e tij numrat e kontaktit si dhe adresën e e-mail në shërbim të shtetasve shqiptarë që ndodhen në zonat e prekura nga tërmeti në Turqi.
Rama thotë se vendi ynë është në solidaritet të plotë me Turqinë dhe popullin e saj në këto ditë të vështira dhe se Ministria e Jashtme është në kontakt të pandërprerë me familjet shqiptare atje.
“Lidhur me situatën e rëndë të krijuar nga fatkeqësia natyrore e tërmetit në Turqi, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njofton se të gjithë shtetasit shqiptarë që ndodhen në zonat e prekura nga tërmeti të cilët kanë nevojë për ndihmë të kontaktojnë në: –Tiranë: (+355) 696 773 168, –Stamboll:(+90) 539 656 621 9, –Ankara: (+90) 549 561 198 5, në dispozicion në ndihmën tuaj 24/7 dhe në adresën e email-it: [email protected]. Në solidaritet me Turqinë dhe popullin e saj në këto ditë të vështira, MEPJ është në kontakt të vazhdueshëm me autoritet zyrtare turke dhe me familjet shqiptare që ndodhen në këto zona“, shkruan Rama.