Afërsisht një e katërta e popullsisë njerëzore të planetit është e prekur nga stresi ekstrem i ujit, sipas një raporti të ri nga Instituti Botëror i Burimeve (WRI – World Resources Institute). Nxehtësia ekstreme dhe thatësirat e zgjatura – kushte këto që shkencëtarët klimatikë parashikojnë se do të bëhen gjithnjë e më të zakonshme ndërkohë që ndryshimi klimatik po vazhdon i pareduktuar – e kanë mbuluar pjesën më të madhe të planetit Tokë në vitin 2019. Si rezultat, rezervuarët në shumë pjesë të botës janë jashtëzakonisht të ulët.
Edhe pse thatësirat janë një problem i madh, rritja e stresit të ujit në të gjithë botën, sipas raportit të fundit, është rezultat i një kombinimi të faktorëve, duke përfshirë furnizimin e taksuar të ujit dhe kërkesat në rritje për ujë. Modelet e hidrologjisë të zhvilluara nga hulumtuesit e WRI-së treguan se tërheqjet e ujit globalisht janë dyfishuar gjatë gjysmës së shekullit të fundit.
Shkencëtarët në WRI kanë kryer një studim global të niveleve të stresit të ujit, duke përpiluar të dhëna të shqyrtuara nga shkencëtarët në lidhje me 13 tregues të rrezikut të ujit. Analiza e tyre zbuloi se më shumë se një e katërta e popullsisë në botë, përfshirë qendrat e popullsisë në 17 vende të ndryshme, është prekur nga stresi ekstrem i ujit. “Stresi i ujit është kriza më e madhe për të cilën askush nuk po flet”, tha në një njoftim Andrew Steer, kryetar dhe drejtor ekzekutiv i Institutit Botëror të Burimeve. “Pasojat e tij janë të qarta në formën e pasigurisë ushqimore, konflikteve dhe migrimit dhe paqëndrueshmërisë financiare”.