Sipas statistikave, në vendin tonë nevojitet nga një qendër për shëndet mendor në zonat me 80 deri 100 mijë banorë. Momentalisht ka vetëm 6 qendra të tilla, por ato kanë kapacitet për vetëm 20% nga popullsia
Delvina KËRLUKU
Shkup, 11 mars – Hapja e Qendrave të Shëndetit Mendor duhet të jetë një nga prioritetet kryesore, për vendin. Personat me problem mendore, por edhe ata të cilët janë në depresion të thellë, nuk kanë një qendër trajtimi në qytetet e ndryshme të vendit. Këto qendra janë vetëm në kryeqytet, shkruan gazeta KOHA. Ekspertët thonë se edhe plakja e popullsisë ka gjasa të rrisë nevojën për qendra të kujdesit shëndetësor mendor. Rreziku i shfaqjes së disa çrregullimeve mendore, siç është shfaqja e gjendjes neuro degjenerative, rritet me plakjen e njeriut. Kujdesi ndaj kësaj kategorie të njerëzve duhet të jetë i veçantë. Largimi i të rinjve nga shtëpitë dhe vendi i kanë lënë pas dore prindërit e moshuar. Veçmas ata persona që tashmë kanë ndonjë sëmundje dhe jeta e tyre është plot shqetësime.
Ish ministri i Shëndetësisë, mjeku Arben Taravari thotë se Maqedonia është një vend i vobektë dhe ka mungesë në çdo sferë, por një ndër prioritetet duhet të jetë përkujdesja e të sëmurëve mendor, posaçërisht moshës së tretë të popullsisë.
“Megjithëse Maqedonia është një vend i varfër dhe prioritetet janë te shumta, sigurisht një nga ndjeshmëritë më të mëdha, për mua personalisht, besoj dhe urgjente për vendin janë azilet ose shtëpitë për të pushuar, në mënyrë të veçantë për ata njerëz, të cilët janë të diagnostikuar me sëmundje, të cilat kufizojnë ndjeshëm aftësinë për të zhvilluar një jetë normale. Një numër i konsiderueshëm i të moshuarve, të cilët nuk janë në gjendje fizike të shëndetshme, nuk janë të asistuar as nga familjarët, të cilët sidomos për arsye emigrimi jetojnë larg tyre. Vetëm në kryeqytet ndodhen disa qendra të tilla, në qytetet e tjera nuk ekzistojnë. Është rast sa flagrant po aq edhe akut pasi është një moshë të cilës të gjithë synojmë t’i afrohemi por, duke treguar indiferencë ndaj gjendjes së të moshuarve zhvillojmë anën e errët të shoqërisë e cila është në pikun e saj në Maqedoni”, thotë për gazetën KOHA, Taravari.
Ai pohon se me ardhjen e moshës së thyer rritet probaliteti i sëmundjeve. Ku dhe është gati i pashmangshëm fakti që të mos vuajnë të paktën nga dy-tre diagnoza. Pavarësisht se sa shumë zhvillohet shkenca dhe përpjekjet e saj për kontrollimin dhe eliminimin e diagnozave. Por, për mjekun është e arsyeshme të ndodh e njëjta edhe me sëmundjet neuro-degjenerative, të cilat janë indiferente ndaj plakjes së popullsisë, pasi kanë lidhje të drejtë për drejtë me plakjen e individit. Ndaj thekson se duhet të jemi tepër të vëmendshëm ndaj njerëzve, të cilët kanë arritur në moshën e tretë apo të katërt e t’ia bëjmë sa më të lumtur këtë periudhë të jetës. Ky qëllim nuk duhet të jetë vetëm si një detyrim ndaj këtyre njerëzve, por dhe çështje respekti e dashurie.
Sipas mjekëve, hapja e qendrave të shëndetit mendor është një nga prioritetet kryesore, sepse nëpërmjet qendrave të shëndetit mendor do të zvogëlojë numrin e të sëmurë, veçmas në spitalet psikiatrike. Me ç’rast do të lehtësojë jetën e familjarëve që kanë anëtarë me çrregullime mendore. Si dhe përmirësimi i shëndetit mendor dhe zvogëlimi i rrezikut të vetëvrasjes duhet të jenë qëllime operative të strategjisë së shëndetit publik. Për Taravarin, çrregullimet mendore mund të çojnë deri në vendime ekstreme të marrjes së vetë jetës. “Natyrisht që vendimet të tilla fatale bëhen fatkeqësisht si derivat i gjendjeve të ndryshme klinike por për shumë nga këto gjendje shkaktarë të këtyre ndërmarrjeve ekstreme janë faktorët e jashtëm. Këtu përfshihet stresi, i cili përparon deri në pikën e vendimit radikal të “dorëzimit”. Papunësia, mungesa e të ardhurave, tensioni i krijuar nga ndikimi banal njëkohësisht aspak legjitim i politikës deri në vendimet për punësim, me pak fjalë Varfëria dhe Politika janë dy faktorë të lartë rreziku dhe përgjegjës për ata individë, të cilët shkojnë deri në aktin e vetëvrasjes. Kështu përmirësimi i shëndetit mendor dhe parandalimi i vetëvrasjeve nuk duhet të jetë pjesë e programit shëndetësor, por duhet të jetë përgjegjësi e të gjithë zinxhirit qeveritar që drejton këtë shtet aktualisht.
Sipas statistikave, në vendin tonë nevojitet nga një qendër për shëndet mendor në zonat me 80 deri 100 mijë banorë. Momentalisht ka vetëm 6 qendra të tilla, por ato kanë kapacitet për vetëm 20% nga popullsia. Sipas të dhënave të Organizatës botërore të shëndetësisë, deri në vitin 2020, pritet që çdo i dyti person të vuajë nga çrregullimet mendore, ndërsa depresioni të jetë problemi i dytë më i madh në botë, pas sëmundjeve kardiovaskulare. Për të mos qenë pjesë e kësaj tendence, mjekët rekomandojnë më shumë aktivitet fizik, konsumim të ushqimit të shëndetshëm dhe më shumë jetë shoqërore. (koha.mk)