Shkup, 17 janar – Tranzicion i lehtë nga familja ose kopshtet ndaj shkollës që të zhvillohet dashuri, e jo frustruacion ndaj mësimit, duke pasur parasysh se mosha e filloristëve është nga 5,8 deri në 6 vjeç. Kjo ishte ideja kryesore e grupit të punës të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës gjatë rishikimit të planeve dhe programeve mësimore për klasën e parë të cilat u prezantuan sot në konferencë shtypi.
Është paraparë që në klasë të parë të ketë më pak (gjashtë) lëndë sepse Shoqëria dhe Shkencat natyrore do të bashkohen në një – Bota rreth nesh, ndërsa Arti figurativ dhe Arti muzikor do të integrohen në lëndën Art. Krahas këtyre dy lëndëve, filloristët do të mësojnë edhe Gjuhë amtare, Matematikë, Arsim fizik dhe shëndetësor ( i cili në klasat më të larta do të jetë lënda Sport) dhe Gjuhë angleze.
Ora mësimore deri në klasë të pestë do të zgjasë 55 minuta, gjegjësisht 40 minuta për mësim dhe 15 për pushim, ndërsa pushimi do të jepet kurdo qoftë në kuadër të atyre 55 minutave, sipas vlerësimit dhe vendimit të mësuesit. Gjatë pushimeve do të kenë aktivitete të lira dhe lojëra, ndërsa të paktën një prej tyre duhet të jetë jashtë klasës sepse hiperaktiviteti dhe agresioni tek fëmijët paraqitet për shkak të mbylljes së tyre dhe qëndrimit të gjatë në klasë. Nëpër orët e kulturës fizike krahas kujdestarit të klasës do të sillet edhe mësues profesional.
Nxënësit në klasë të parë nuk guxojnë të kenë më shumë se katër orë në ditë. Detyrat e shtëpisë do të zëvendësohen me ushtrime nëpër orë, do të reduktohet zbatimi i testeve të diturisë, ndërsa do të shkohet drejt kontrollit të drejtpërdrejt dhe kontaktit dhe interaksionit të drejtpërdrejt me çdo fëmijë. Për këtë qëllim planifikohet, ndërsa kjo varet nga mundësitë financiare, paralelet të jenë me numër më të vogël nxënësish. Libri do ta humbë statusin monopol në mësim, sepse do të ketë më shumë burime për mësim.
“Qëllimi i ndryshimeve është që të shkohet në thellësi, e jo në gjerësinë e diturive dhe në vend të memorimit dhe faktografisë, do të shihet se si fëmija mendon dhe konkludon, çfarë aftësi janë përfituar dhe çfarë vlera janë fituar. Për ne të rëndësishme janë kreativiteti dhe kurioziteti. Dituria nuk është primare, por dashuria ndaj të mësuarit dhe madje do të jetë më relaksuese qasja e mësuesit ndaj nxënësit. Parimi kryesor me të cilin korrigjojmë gabimin nga e kaluara është që me më pak të arrijmë më shumë”, tha profesori universitar Zoran Vellkovski, i cili është anëtarë në grupin e punës. Rekomandimet, tha, janë të thjeshta dhe pret që të pranohen nga mësimdhënësit. Duke dhënë më shumë liri, fitojmë arsim më cilësor”, shtoi Vellkovski.
Pas revizionit të planeve për klasë të parë, do të pasojë edhe revizion i planeve mësimore për klasë të dytë dhe të tretë. Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Renata Deskoska tha se fokusi është vënë në tre klasat e para.
“Është nisur me vëmendje të posaçme, jo vetëm në komponentin arsimor në këto tre klasë, por edhe komponentin edukativ i cili do të thotë element i rëndësishëm në procesin arsimor. Analizat që janë bërë treguan se nxënësit janë një nga kategoritë më të ngarkuara. Nëse të gjithë ne kemi orar pune të limituar, nxënësit kohën e kalojnë nëpër orë, ndërsa pastaj obligimet e tyre vazhdojnë edhe në shtëpi. Kjo rezultoi me mosinteresim dhe refuzim ndaj procesit mësimor. Me reformat dëshirojmë t’u japim dituri, por edhe ta kthejmë interesin dhe dëshirën për të mësuar”, tha ministrja Deskoska.
Për planet e reviduara arsimore në klasë të parë do të ketë edhe debate publike që të dëgjohen mendimet nga mësimdhënësit. Zbatimi planifikohet nga shtatori ose të paktën në disa pilot-shkolla.
Me miratimin dhe zbatimin e planeve të reja mësimore, më nuk do të vlejë Programi për mësim i Kembrixhit, por librat e adaptuar nga Kembrixhi për klasë të parë do të mund të konkurrojnë së bashku me libra nga autorë vendor nëse i përshtaten programit të ri mësimor.