Të lejohet decentralizimi më i madh fiskal në raport me vetëqeverisjen lokale, ndërsa njëherazi të rritet edhe vëllimi i shërbimeve publike që ofrojnë komunat
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 10 qershor – Të lejohet decentralizimi më i madh fiskal në raport me vetëqeverisjen lokale, ndërsa njëherazi të rritet edhe vëllimi i shërbimeve publike që ofrojnë komunat. Nga ana tjetër, ndarja territoriale si dhe paqartësitë e më shumë ligjeve për funksionimin e suksesshëm të komunave dhe decentralizimi funksional, së bashku me decentralizimin fiskal kanë sjellë deri tek një numër jo i vogël i komunave në shtet që nuk mund të mbijetojnë, si rrjedhojë e mungesës së burimeve të mjaftueshme të të ardhurave. Një gjendje e tillë sjell borxhe të mëdha të komunave që maten me dhjetëra miliona euro , si dhe një numër jo edhe të vogël të komunave në shtet, që përkohësisht për një kohë të shkurtër apo më të gjatë, kanë llogari të bllokuara për shkak të borxheve dhe padive dhe përmbaruesve të borxheve. Gjithashtu edhe komunat janë në mënyrë të ndryshme , të qëndrueshme në aspekt financiar, por në të njëjtën kohë edhe shpesh keq menaxhojnë me të hollat publike, që dëshmohet edhe me revizionet, dhe ndonjë proces gjyqësor apo akuza ndaj ish kryetarëve të komunave.
Këto janë vetëm një pjesë e konstatimeve të analizës “Sistemi meritor dhe digjitalizim i shërbimeve”, në kuadër të vlerësimit të përparimit të Maqedonisë në plotësimin e kritereve politike të nevojshme për anëtarësim në BE, të autorëve Teofill Bllazhevski dhe Goran Rizaov, e mbështetur nga Fondacioni Metamorfozis.
Analiza rekomandon që punësimi dhe avancimi në administratën publike të realizohet sipas sistemit të kualifikimeve, njohurive dhe meritave, me çka gradualisht do të vijë deri tek departizimi më i madh i administratës publike .Të rritet vetëdija publike për nevojën e shfrytëzimit të shërbimeve digjitale atje ku tani është e mundur, dhe të realizohet digjitalizimi më masovik i shërbimeve. Sugjerohet edhe vazhdimi i hapjes dhe llogaridhënies së institucioneve, si dhe kontrollit dhe zvogëlimit të harxhimeve joracionale në administratë, duke filluar nga pranimi i anëtarëve në këshillat drejtues dhe mbikëqyrës, deri tek të gjitha harxhimet e tjera joracionale, që duhet të përkufizohen në bazë të fuqisë ekonomike të shteti, pagës mesatare dhe të ngjashme.
Sistemi për përfaqësim të drejtë dhe adekuat të bazohet apo kombinohet me sistemin e punësimit dhe avancimin sipas meritave. Raporti më tej udhëzon se numri prej 16 për qind të të punësuarve në sektorin publik vlerësohet si një nga shifra më të vogla në nivel të mesatares prej 28 shtete anëtare të BE, megjithatë këtu duhet theksuar se duhet shikuar edhe efektin e të punësuarve dhe sa numri i të punësuarve është i arsyeshëm apo sa është i nënvlerësuar apo i mbivlerësuar, apo tek jobarazia e të punësuarve në sektorin publik tek komunat në raport me numrin e njëjtë të popullatës.
Raporti shton më tej se nuk është problem vetëm numri i të punësuarve , por edhe zgjidhja arbitrare e disa çështjeve , që i udhëheqin funksionarë të lartë në administratën publike , që zgjidhen me ndikim direkt apo indirekt të ndikimit politik. “Një ndikim i tillë në të gjithë linjat e administratës , në të vërtetë ishte i madh, dhe praktikisht partia në pushtet, apo ato që qeverisin, zgjedhin çfarëdo çështje, duke filluar nga ato më të mëdha, e deri ato më të imëta. Tani nëse i referohemi raportit të fundit të Komisionit Evropian për vitin 2018, ndikimi i politikës në vendimet e administratës pak është zvogëluar. Megjithatë akoma jemi larg asaj të themi se tani është penguar ndikimi politik”, theksohet më tej në analizë.
Gjithashtu pritet që me rritjen e paralajmëruar të shërbimeve digjitale apo përmes rrugës elektronike do të ulen “shërbimet në sportel”, do të rritet cilësia e shërbimeve të administratës në përgjithësi si dhe do të zvogëlohet mundësia e veprimeve korruptive. Nga ana tjetër, një nga problemet për të çilat në vazhdimësi ngrenë zërin ekspertët, është edhe mungesa e një sistemi të qartë të matjes së efektit të të gjithë të punësuarve në administratën publike apo për nënpunësit administrativ, përfshi edhe personat e zgjedhur, apo të emëruar.
Analizë më tej duke u bazuar në raportin vjetor të Kuvendit, thekson se mbi 60 për qind të ligjeve janë miratuar me procedurë të shkurtuar apo urgjente. Në vitin 2017 në vend se të zvogëlohet kjo për qind ajo është rritur ku bile 75 për qind të 33 ligjeve të miratuara me përjashtim të ligjeve për ratifikim apo që dalin nga konventat ndërkombëtare janë miratuar me procedurë të shkurtuar. Me këtë zvogëlohen edhe gjasat e përfshirjes së opinionit në miratimin e legjislacionit. Mirëpo raporti thekson se ekzistojnë edhe situata ku nuk është inkuadruar opinion, në miratimin e ligjeve për shkak të urgjencës së afateve për nevoja politike apo të proceseve euro integruese. (koha.mk)