Nga BNJVL thonë se nuk kërkohen para, por kërkohet që kompetencat e decentralizuara të mbulohen në mënyrë përkatëse me mjete financiare, me çka qytetarët do të fitojnë shërbime më të mira dhe më të shpejta
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 10 prill – Ankesat e kryetarëve të komunave të shprehura në më shumë raste vitet e kaluara edhe përmes Bashkësisë së Njësive të Vetadministrimit Lokal, për ndarjen e kulaçit financiar, si duket do të gjejnë zgjidhje me rritjen e paralajmëruar të transfereve nga buxheti qendror në arkat e komunave. Madje, edhe kryetarët e komunave në Maqedoni në vazhdimësi në vazhdimësi janë ankuar se jostabiliteti financiar i komunave në shtet ndërlidhet në një pjesë të madhe me decentralizimin fiskal të ngadalshëm në vend. Nga BNJVL thonë se nuk kërkohen para, por kërkohet që kompetencat e decentralizuara të mbulohen në mënyrë përkatëse me mjete financiare, me çka qytetarët do të fitojnë shërbime më të mira dhe më të shpejta. Njëherësh, fitimi i të hollave pritet të bazohet edhe në vlerësimet se si komunat i menaxhojnë të hollat vetanake.
Gjithashtu, nga BNJVL disa vite i kanë propozuar pushtetit të vendosë sistemin elektronik të pagesës së tatimit në pronë me anulimin e pjesës administrative dhe shkuarjen në mënyrë të drejtpërdrejtë në bllokimin e llogarive, paralajmërimeve dhe pagesën e faturave. Mirëpo për realizimi i këtij ka ngecur. Rritja e të hollave që do të fitojnë komunat do të bazohet dhe në kontrollin dhe mekanizmat për realizimin e të ardhurave dhe shpenzimeve në buxhetet e komunave, ndërsa do të mbahet kujdes që të përforcohen në aspektin financiar edhe komunat e vogla dhe ato rurale. Nga Ministria e Financave kanë paralajmëruar rritjen e mjeteve që komunat i marrin përmes bllok-dotacioneve, por edhe përmes mënyrave të tjera, llogaridhënie më të madhe lidhur me atë se si komunat i shpenzojnë mjetet e qytetarëve, si dhe rritjen edhe disiplinës financiare në drejtim të uljes së borxheve. Do të ndërmerren edhe masa për përmirësimin e kapacitetit fiskal dhe rritjen e të hyrave të komunave, si dhe disiplinën fiskale.
“Përmirësimi i kapacitetit fiskal dhe rritja e të ardhurave të komunave do të zbatohet përmes disa aktiviteteve që parashikojnë rritjen e mjeteve të shpërndara për komunat nga detyrimet e arkëtuara në buxhetin qendror, rritjen e të hyrave vetanake të komunave dhe formimin e fondeve që do të përkrahin performancën e mirë. Në këtë drejtim, do të diskutohet për rishikimin e metodologjisë lidhur me shpërndarjen e mjeteve të tatimeve dhe dotacioneve për komunat”, deklaroi ministri i Financave, Fatmir Besimi. Sipas tij, planifikohet rritje në mënyrë graduale e përqindjes që komunat marrin nga të hyrat e tatimit mbi të ardhurat personale, të arkëtuar nga personat fizikë të regjistruar me vendbanim të përhershëm dhe vendqëndrim në komunë. Gjithashtu, gradualisht do të rritet edhe norma e dotacionit nga TVSH-ja e arkëtuar, sipas performancës së komunave. Në këtë drejtim, planifikohet formimi i “Fondit të performancës” dhe “Fondit të barazimit”. “Komunat që tregojnë rezultate pozitive dhe kanë realizim më të lartë të të hyrave vetanake do të marrin mjete nga ‘Fondi i performancës’, ndërsa nga ‘Fondi i barazimit’ do të sigurohen mjete për komunat që kanë të hyra më të ulëta, por që kanë treguar përpjekje fiskale dhe rezultate të mira në grumbullimin e të hyrave vetanake. Zbatimi i ‘Fondit të performancës’ duhet të kalojë përmes një procesi të kujdesshëm të tranzicionit me përkrahjen e institucioneve qendrore për përforcimin e institucioneve lokale fiskale në komuna që ngecin ndjeshëm në këtë aspekt, por jo gjithmonë me fajin e tyre”, shton më tej Besimi. Komunat do të ndihmohen dhe mbështeten edhe për planifikimin real të të hyrave dhe shpenzimeve të komunave, racionalizimin e punës dhe uljen e shpenzimeve të panevojshme, servisimin e rregullt të borxhit…
Njëherësh, në koordinim me Grupin e punës lidhur me vazhdimin e procesit të decentralizimit, të formuar nga Qeveria, në të cilin marrin pjesë Ministria e Sistemit Politik, Ministria e Financave dhe Ministria e Vetëqeverisjes Lokale dhe BNJVL-ja, së shpejti do të fillojë procesi i konsultimeve publike dhe diskutimeve lidhur me procesin e avancimit të decentralizimit fiskal që do të sjellë edhe propozime konkrete për shifrat dhe dinamikën e mëtejshme të këtij procesi.
Nga Ministria e Pushtetit Lokal, thonë se për këtë dikaster sivjet prioritet i rendit të parë është decentralizimi fiskal dhe institucional. Ministri i Pushtetit Lokal, Goran Milevski thotë se qëllimi është që jo shteti të kontrollojë komunat, por përmes decentralizimit tu jepet pushtet më i madh vetëqeverisjes lokale si dhe një kontrolli më i madh i punës së kryetarëve të komunave. Sipas tij, në një vit të mbajtjes së zgjedhjeve lokale do të ishte e ndershme apo fer që kryetarët e ri të komunave të fillojnë mandatin e tyre me rregulla të saktësuara të lojës në aspektin e kompetencave dhe mjeteve që do ti kenë për realizim që nga viti i ardhshëm buxhetor.
KËRKESAT E KOMUNAVE
Kohë më parë, përfaqësuesit e komunave kanë kërkuar vendosjen e një sistem objektiv dhe transparent i financimit të komunave me qëllim të sigurimit të drejtë të mjeteve financiare, që vlen sidomos për komunat më të vogla dhe më të varfra e që në vazhdimësi kanë kapacitete të vogla tatimore, ndërsa kanë nevoja të mëdha financiare. Njëherazi kërkohet edhe rritja graduale e të ardhurave për komunat nga Tatimi i Vlerës së Shtuar nga 4.5 për qind në 10 për qind si dhe rritje e tatimit personal nga 3 në 50 për qind. Analizat tregojnë se pjesa më e madhe e të ardhurave të komunave, apo më shumë se 60 për qind – vijnë nga transferet e pushtetit lokal, që sipas kryetarëve të komunave paraqet bazë për të rrezikuar pavarësinë, andaj një gjë e tillë nevojitet të ndryshohet më shpejt. Vitet e kaluara, përskaj shlyerjes së gjysmës së borxheve të komunave apo ndihmës prej 50 milionë euro të vetëqeverisjeve lokale për servisimin e obligimeve, po punohet në revidimin e bllok-dotacioneve dhe modelet e reja të financimit të kompetencave në arsim, kulturë etj. (koha.mk)