Zejnulla VESELI
Shkup, 3 janar – Mjetet financiare në vlerë prej 30 milionë të parapara për mbështetjen e kompanive dhe bizneseve private, vlerësohen vetëm si kujdes i shprehur nga shteti, mirëpo shuma e paraparë si ndihmë assesi nuk është e mjaftueshme për mbështetje të sinqertë të sektorit privat. Për analistin ekonomik Arben Halili, nëse krahasojmë numrin e kompanive të vogla dhe të mesme të regjistruara në Maqedoni me shumën prej 617 mijë eurove që parashihet me Buxhetin e vitit 2018, kjo vlerë realisht nuk paraqet asgjë, sepse siç thotë për KOHA Halili, për 71.286 kompani i bie që secila të marrë 8.65 euro, gjë që është shumë poshtëruese.
“Nga të dhënat e Entit Statistikor të Maqedonisë, numri i përgjithshëm i subjekteve aktive në Maqedoni është 70.193 kompani, që në bazë të një matematike të thjeshtë – del që si proporcion, shpërndarja do të jetë nga 8.65 euro për ndërmarrje, gjë që është shumë poshtëruese. Megjithatë, po ashtu diskutabile do jetë edhe forma e shpërndarjes së kësaj vlere. Cilat janë kriteret në bazë të cilave do bëhet shpërndarja dhe në emër të çka? Do të ishte pa diskutim shumë e rëndësishme që faktori konkurrencë dhe kompanitë, të cilat janë në fazën mbijetesës dhe rritjes në treg, të jenë ata që do kishin përparësi të mbështetjes financiare nga ana e shtetit. Pikërisht këta kompani kanë nevojë për mbështetje”, thotë Halili. Ai njëherësh potencon se ndodh që për arsye të publikut, prezantohen si shuma kumulative, por jo edhe efekti real që pritet të arrihet për kompanitë.
“Unë nuk besoj që ekziston kompani në vend që me mbështetje prej 8.65 euro ose 10.87 euro, do mund të përmirësojë kushtet e punës ose produktivitetin e saj. Nga 71.519 kompani të regjistruara në Maqedoni, madje 71.286 janë kompani të vogla dhe të mesme, respektivisht kompani që kanë deri në 250 punëtorë. Vlera prej 617.000 euro për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në aspekt të analizës së numrave realisht nuk paraqet asgjë, sepse për 71.286 kompani i bie që çdo kompani do sigurojë mbështetje nga ane shtetit në vlerë prej 8.65 euro. Por edhe sikur kjo vlerë të dedikohet vetëm për kompanitë që kanë nga 1-9 të punësuar e që janë 56.725 kompani, shuma për kompani është 10.87 euro”, thotë Halili. Në fakt, numër i konsiderueshëm i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme janë të vendosura në Zonat industriale në vend, zona këto që janë krijuar nga ana e bizneseve private me zero mbështetje nga ana e shtetit, siç është ajo e Vizbegut.
“Aty realizojnë aktivitetin e vet biznesore një numër i konsiderueshëm i kompanive dhe të njëjtat në vazhdimësi – edhe pse kanë kërkuar ndihmë dhe mbështetje nga ana e shtetit, prapë se prapë në mënyrë private kanë siguruar edhe infrastrukturën elementare në këtë zonë. Pikërisht
efekti që gjenerojnë kompanitë në Zonën e Vizbegut është shumë më i madh në aspekt të punësimit të njerëzve, si edhe prodhimtarisë dhe vëllimit të shërbimeve që ofrojnë këta kompani, krahasuar me vlerën buxhetore për mbështetje të kompanive të vogla dhe të mesme nga ana e shtetit. Vlera prej 617 mijë euro nuk është e mjaftueshme – e në raste të caktuara, edhe vetëm për një kompani jo më për të gjitha kompanitë e vogla. Vlerësoj se më korrekte do të ishte të mos prezantohej një shifër e tillë nënvlerësuese për kompanitë. Ekzistojnë me qindra kompani në vend që vetëm qarkullimin javor e kanë disa qindra milionë euro, kështu që nevoja konkrete e kompanive është sigurimi i mbështetjes për tregje të reja dhe të sigurta, siguri ligjore dhe mbi të gjitha – në aspekt të edukimit për implementim të drejtë të ligjeve”, thotë Arben Halili, analist ekonomik. Edhe Fatmir Bytyqi, ekspert ekonomik, njëherësh biznesmen, thotë se me vlerën e paraparë për mbështetje për sektorin privat të biznesit, Qeveria e re nuk tregon dëshirë serioze të mbështet financiarisht sektorin privat.
“Të them të drejtën, pritjet e mia ishin më ndryshe, por në Buxhetin e vitit 2018 nuk i shoh. Nuk mund të pajtohem se intervenimi shtetëror për mbështetje të bizneset mund të bëhet me 30 milionë euro – aq më shumë ku nga këto 30 milionë euro, 16.6 milionë euro shkojnë për kompanitë vendore, ndërsa pjesa tjetër prej 13.4 milionë euro shkon për investitorët e huaj”, shprehet për KOHA, Bytyqi. Me vetë faktin se vitin e ardhshëm, sipas Qeverisë, kemi realisht buxhet më të lartë në histori prej 3.5 miliard euro, Bytyqi thotë se vetëm 30 milionë euro apo 16.5 milionë euro të shkojnë si mbështetje për kompanitë vendore është një vlerë tepër nënçmuese.
“Nga 3.5 miliard euro të ndahen vetëm 30 milionë euro për mbështetje të ekonomisë është qesharake siç është qesharake edhe rritja e akcizës se naftës dhe përfitimet nga kjo rritje do të jenë 30 milionë euro”, thotë Bytyqi. Kjo mbështetje e shtetit, Bytyqi thotë se nuk është mbështetje serioze që do të sjell efekte pozitive për biznesin privat në afat të mesëm dhe afatgjatë. “Nëse shikoni Zonën industriale në Vizbeg, kapitali i kompanive në këtë zonë është 670 milionë euro edhe në nivel vjetor realizojnë qarkullim prej mbi 600 milionë euro, ndërsa mbështetja e shtetit për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme është 617 mijë euro. Për çfarë mbështetje prej 617 mijë euro flasim”, thotë Bytyqi. Vitin e kaluar, thotë ai, qarkullimi vjetor i vetëm kompanive që funksionojnë në këtë zonë në kushte të vështira pa asfarë infrastrukturë rrugore, pa ujësjellës, kanalizim dhe rrjetë të mirëfilltë energjetike , vetëm një firmë vitin e kaluar në këtë zonë ka sjellë 5 milionë euro në ekonomi, ndërsa shteti vlerëson se 617 mijë euro mbështetje është e mjaftueshëm për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. “Sigurisht se diku ka gabim me perceptimin dhe pritjet. Kam pritur që kjo mbështetje të jetë 617 milionë euro apo 61 milionë euro dhe atëherë mund të flasim për përkrahje reale nga shteti për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme”, shprehet Bytyqi.
Edhe për analistin ekonomik, Sinisha Pekeski, është absurde të flasësh për ndihmë shtetërore për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme kur gjatë vitit 2016 dhe 2017, shumë pronarë të bizneseve ua vunë drynin bizneseve të tyre. “Përkrahja shtetërore prej 600 mijë euro për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme është e barabartë me 18 vetura në vlerë prej 35.000 euro që drejtorët e ndërmarrjeve publike dhe ministrat kanë paralajmëruar se do t’i blejnë gjatë vitit 2018. Në vend që shteti të investojë më shumë para në përkrahje të atyre që krijojnë vlera, gjithmonë këta subjekte i vendos në vendin e fundit në listën e shtetit si prioritet”, thotë Pekevski. Nëse do të shihni se sa para harxhohen për reprezentime, nëpër kafene, apo udhëtime zyrtare, atëherë bëhet e qartë se sa edhe ky buxhet është zhvillimor dhe nuk jep asnjë përkrahje për ato të cilët me të vërtet kanë nevojë. “Mbesim me shpresë se viti 2018 do të jetë një vit i ringjalljes ekonomike në Maqedoni, sepse është treni i fundit para se të shpërthejë një pakënaqësi totale e qytetarëve, dhe kam frikë se gjërat do të përkeqësohen shumë dhe do të vijë deri të trazirat e mëdha sociale. Në njërën anë ka politikanë milionerë, e nga ana tjetër njerëz që janë ka vuajnë për kafshatën e bukës. Ka ardhur koha që me i thënë mjaft kësaj situate”, thotë Sinisha Pekevski analist ekonomik. (koha.mk)