Shkup, 15 janar – Ministria e Ekonomisë këtë vit i ka ndarë 53 milionë denarë për Programin për konkurrencë, inovacion dhe sipërmarrësi. Programi, siç informon ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, këtë vit do të zbatohet në katër pjesë. “Pjesa e parë do të jetë mbështetje e drejtpërdrejtë për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, pjesa e dytë është për politikë industriale të përgjithshme, pjesa e tretë është për mbështetjen e klasterëve, ndërsa pjesa e katërt për mbështejten e kompanive të cilat do të ndërmarrin aktivitete në fushën e përgjegjësisë shoqërore”, tha Bekteshi në konferencën e sotme për shtyp.
Ai theksoi se vitin e kaluar janë realizuar 99 për qind e mjeteve të cilat ishin paraparë në pajtim me Programin për konkurrencë, inovacion dhe sipërmarrësi.
“I kishim paraparë vetëm 10 milionë denarë për mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, por edhe në përgjithësi për politikën industriale. Këtë vit i kemi paraparë 53 milionë denarë për këtë program. Disa herë thamë se viti 2019 do të jetë vit ekonomik për Republikën e Maqedonisë dhe jemi të bindur se me krijimin e masave të tilla dhe me masat e tjera të parapara nga Qeveria, së bashku me bashkësinë e biznesit do ta realizojmë atë që është paraparë në Buxhet, por do të arrijmë akoma më shumë. Të gjitha parakkushtet janë plotësuar që në vend të realizohen të gjitha projektet e parapara për vitin 2019, theksoi Bekteshi.
I pyetur se pse konferencën e sotme e filloi në gjuhën shqipe, ministri Bekteshi potencoi se prej sot edhe gjuha shqipe është zyrtare.
“Prej sot gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë janë gjuha maqedonase dhe shqipe, duke e pasur parasysh se mbi 20 për qind e popullatës e flet gjuhën shqipe edhe atë të publikuar në Gazetën Zyrtare me Ligjin e ri për gjuhët”, tha Bekteshi.
Theksoi se edhe paraprakisht konferencat për shtyp ndonjëherë i ka filluar në gjuhën shqipe, ndërsa ndonjëherë në gjuhën maqedonase.
“Kjo nuk tregon asgjë. Ne duhet të kuptohemi me njëri-tjetrin, duke e pasur parasysh se edhe unë derisa nuk u publikua Ligji për gjuhët për mediat tona dhe për qytetarët tanë jam drejtuar në gjuhën shqipe, ashtu edhe do të vazhdoj edhe në të ardhmen”, theksoi Bekteshi.