Më shumë leje për ndërtim në Shkup

Shkup, 8 dhjetor Katërqind miratime për ndërtim janë lëshuar në tetor të këtij viti. Ky numër, sipas të dhënave të Entit Shtetëror për Statistikë shënon rritje në krahasim me tetorin e vitit të kaluar për 37,5 për ind.

Më së shumti sipas miratimeve të lëshuara do të ndërtohet në rajonin e Shkupit me 162 miratime të lëshuara për gjithsej 569 banesa. Më së shumti do të ndërtohet në Karposh ku janë lëshuar 50 miratime për 250 banesa dhe Gjorçe Petrov me 34 miratime të lëshuara për 172 banesa.

Sipas miratimeve të lëshuara për ndërtim, vlera e paraparë e objekteve është 3.991.579 mijë denarë, që është për 41,3 për qind më shumë në krahasim me muajin e njëjtë të vitit të kaluar.

Nga numri i përgjithshëm i miratimeve të lëshuara për ndërtim, 245 apo 61,3 për qind dedikohen për objekte me ndërtim të lartë, 38 apo 9,5 për qind për objekte me ndërtim të ulët dhe 117 apo 29,2 për qind për objekte për rikonstruim.

Nga gjithsej 400 objekte, tek 282 apo 70,5 për qind si investitorë paraqiten persona fizik, ndërsa tek 118 objekte 29,5 për qind investitorë janë subjekte afariste.

Është paraparë ndërtimi i 929 banesave, me sipërfaqe të përgjithshme të dobishme prej 74.963 metra katrorë.