Tetovë, 13 nëntor – Gjatë vikendit që kaloi, në disa rrugë në pjesë të larta malore të Pollogut para së gjithash në luginën e Radikës, në orët e vona të natës dhe në orët e hershme të mëngjesit, si rezultat i temperaturave të ulëta, ka pasur paraqitje të ngricave, të cilat paraqesin rrezik potencial për shoferët, shkruan gazeta KOHA. Nëse gjatë ditëve në vijim vazhdojnë të bien temperaturat, në këto rrugë janë të mundshme paraqitje të ngricave më të mëdha, si dhe rrëshqitje të gurëve në rrugë, të cilët plotësisht e rrisin rrezikun për ndodhje të aksidenteve rrugore.
Për këtë shkak, Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë apelon deri te vozitësit të jenë shumë të kujdesshëm, kryesisht nëse udhëtojnë në drejtim të Strazhës, Mavrovës dhe Kodrës së Diellit, si dhe njoftohen se nga data 15 e këtij muaji, detyrimisht të posedojnë pajisjet dimërore dhe të përshtatin shpejtësinë sipas kushteve në rrugë.
Gjithashtu, shoferët këshillohen që ta kontrollojnë gjendjen teknike të veturave të tyre, gjegjësisht, ata shoferë të cilët kryejnë veprimtari në transportin publik të udhëtarëve, me autobusë dhe furgonë, gjithashtu të mos konsumojnë alkool kur ulen përpara timonit dhe të mos drejtojnë automjetet e tyre të lodhur dhe të papërgatitur.
Pjesëtarët e policisë nga Tetova janë duke realizuar dhe do të vazhdojnë të realizojë aktivitetet kontrolluese të përforcuara, ku theks të veçantë do të jetë gjendja teknike e veturave, dhe shpejtësia me të cilën lëvizin në vendbanime dhe jashtë vendbanimeve. (koha.mk)