Laura PAPRANIKU
Shkup, 10 janar – Në Maqedoni nuk janë të pakta shkollat që për mungesë të hapësirave, nuk mund të vendosin në përdorim mjetet e teknologjisë informatike. Kështu për shembull, në objektin e ish-Kombinatit Industrial dhe Bujqësor në Kumanovë ku prej shumë vitesh janë sistemuar paralelet e mesme me mësim në gjuhën shqipe, të gjimnazit, teknikës dhe mjekësisë, shkruan gazeta KOHA. Pozita e Gjimnazin “Sami Frashëri” duket pak më e mirë krahasuar me paralelet shqipe të Shkollës së Mesme “Nace Bugjoni”, të cilat ndajnë të njëjtin kulm. Kjo, pasi gjimnazi është shkollë e pavarur juridikisht, ndërsa paralelet e teknikës dhe mjekësisë janë në varësi të shkollës “Nace Bugjoni”, e cila ka në objektin amë vetëm për paralelet me mësim në gjuhën maqedonase. Për këtë arsye, një pjesë e mirë e organizmit të punëve për paralelet me mësim në gjuhën shqipe, në objektin e ish-KIB bëhet shumë më e vështirë.
PROBLEMI I HAPËSIRAVE
Në rastet e pajisjes së paraleleve me teknologjinë informatike, duhet çdoherë që realizmi i gjërave të kalojë përmes drejtorisë së shkollës, e cila gjendet në objektin amë. Por, sa u takon paraleleve shqipe të “Nace Bugjonit”, duket se ky nuk është i vetmi problem. Edhe kur është kapërcyer barriera administrative, pra kur kompjuterët që u takojnë nxënësve shqiptarë janë siguruar aq sa u takojnë, del problemi i hapësirave.
Ndihmësdrejtori Nexhbedin Saliu, i cili është edhe përgjegjësi për paralelet shqipe, tregon se kompjuterët i posedojnë prej vitesh, mirëpo pjesa më e madhe tyre ruhen në podrum. “Për paralelet në gjuhën shqipe janë siguruar të gjitha kompjuterët që na takojnë. Në objektin të cilin e shfrytëzojmë si shkollë, kemi 700 kompjuterë. Mirëpo, për mungesë të kushteve i kemi në përdorim vetëm 265 kompjuterë”, deklaron për KOHA, Saliu. Hapësirat ku janë të vendosura paralelet e teknikës dhe mjekësisë janë të atilla sa nuk na japin mundësinë e organizmit të mësimin me kompjuterë në më tepër se pesë klasa dhe një kabinet informatike, sqaron ai. Edhe pse një shkollë në rritje sipas numrit të nxënësve, zhvillimi i saj është peng i mungesës së hapësirave dhe pavarësimit në subjekt të veçantë juridik. Kjo, ka edhe ndikimin negativ sa i përket modernizmit të arsimit. Ndodh që shkollat të ankohen zakonisht për mungesë kompjuterësh dhe pajisjesh të tjera të IT-së, por rasti i paraleleve shqipe të “Nace Bugjonit” flet për një paradoks tjetër, për atë se ekziston mundësia ti posedojnë kompjuterët dhe të mos mund ti përdorin ato. Konkretisht, ata kanë kompjuterë trefish më shumë se sa janë në gjendje të përdorin dhe si rezultat i kësaj – kompjuterët në vend që të qëndrojë në bankat e nxënësve, mbahen të kyçura në podrum. Arsyeja e vetme është mungesa e hapësirave.
Ndihmësdrejtori Saliu tregon se vetëm në një pjesë të lëndëve ka mundësi të punohet me kompjuterë edhe atë vetëm në 12 paralele nga 40 gjithsej. Pavarësimi i paraleleve shqipe nga shkolla “Nace Bugjoni” do të ishte hap i parë drejt kapërcimit të barrierave. Saliu u bën thirrje komitentëve që të mundësojnë pavarësimin e këtyre paraleleve nga shkollat maqedonase dhe të punojnë në themelimin e shkollës së re të teknikës dhe mjekësisë në Kumanovë. Paralelet shqipe edhe ashtu veprojnë të ndara prej shkollave amë prej vitit 2001. Nevojitet thjeshtë vetëm realizmi i një akti politik që është në kompetencë të Ministrisë të Arsimit (MASH) dhe Komunës të Kumanovë.
SHQIPTARËT, GATI DYFISH MË SHUMË SESA MAQEDONASIT
Kërkesa për pavarësimin e këtyre paraleleve është dërguar në Komunë dhe MASH që në vitin 2004, mirëpo edhe pas 13 viteve diskutohet po e njëjta çështje. Përgjegjësi i paraleleve shqipe, Saliu thotë se posedojnë të gjithë kuadrin e nevojshëm për funksionimi si shkollë e veçantë. Aktualisht kanë 95 mësimdhënës, pesë punonjës të stafit teknik, një pedagog, një zëvendësdrejtor dhe dy ndihmësdrejtorë. Përveç kësaj, është një shkollë me perspektivë e cila shënon rritje në numrin e nxënësve. Këtë e vërtetojë edhe numrat.
Nëse në vitin shkollor 2001/2002 shqiptarët kishin tetë paralele, tani kanë 40 paralele me 1170 nxënës. Ndërkaq, në paralelet me mësim në gjuhën maqedonase janë 34 paralele dhe 750 nxënës. Në vitin 2007 u premtua dislokimi i paraleleve shqipe në hapësirat e ish-kazermës ushtarake “Kuzman Josifovski Pitu”, por një gjë e tillë nuk u realizua as në vitin shkollor 2017/2018. (koha.mk)