Shoqatat malore theksojnë se shpallja e Malit Sharr si Park Kombëtar do të jetë një mundësi e mirë për të tërhequr edhe klube malore nga vendet e rajonit, të cilët janë të interesuara për të vizituar bukuritë e malit mbi Tetovë
Urim HASIPI
Tetovë, 11 mars – Masat restriktive pas shpalljes së pandemisë Covid-19, kanë bërë që shumë qytetarë, shoqata malore, shoqata të alpinistëve – një pjesë të kohës së tyre të lirë ta kalojnë në natyrë, kryesisht në viset malore. Dalja në natyrë për të vizituar pjesët më të bukura tashmë është bërë një atraksion i vërtetë jo vetëm për qytetarët e shumtë, por edhe shumë shoqata malore tashmë organizojnë ecje në natyrë. Në këtë drejtim, nuk mungojnë edhe ecjet në shpatet e Malit Sharr, sidomos tash pas përmirësimit të kohës, por aktivitetet e këtilla nuk kanë munguar edhe gjatë kohës kur është shpallur pandemia e Covid-19.
Në këtë periudhë nuk kanë munguar edhe vizitorë të huaj, të cilët tashmë shijojnë natyrën e bukur të këtij masivi malor në pjesën e Tetovës dhe rrethinës. “Tashmë qytetarët zgjidhjen nga kjo monotoni lidhur me pandeminë Covid-19 e gjejnë tek dalja në natyrë. Shumë shoqata malore nga e tërë Maqedonia e Veriut kanë organizuar ecje nëpër Malin Sharr edhe atë jo vetëm në pjesën e Tetovës, por edhe më gjerë. Javën e kaluar kishim edhe mysafirë nga Franca, të cilët përmes një bashkëpunimi me klubin malor ‘Teteks’, qëndruan në Malin Sharr”, tregon Snezhana Novakovska, kryetare e klubit malor “Teteks” në Tetovë. Ajo nënvizon se viti 2020 ishte kyç që shumë anëtarë të këtij klubi t’i rikthehen sërish malit.
“Kemi patur interesim gjatë viteve të kaluara, por vitin 2020 është karakterizuar me një interesim të madh të anëtarëve të mëhershëm që janë rikthyer në klubin tonë dhe janë organizuar shumë turne nëpër Malin Sharr. Pra, i tërë ky interesim vjen si pasojë e pandemisë, ku qytetarët zgjidhjen nga kjo monotoni poshtë në qytet apo vendbanimet rurale, e gjejnë tek dalja në natyrë”, pohon Novakovska. Nga ky klub informojnë se anëtarët e rinj fillimisht trajnohen dhe edukohen të jenë të përgatitur për të ecur në natyrë. Gjatë kohës kur në viset më të larta nuk ka dëborë, ecjet janë më pak të komplikuara, kurse në periudhën kur ka borë – atëherë nuk rekomandohet që të mos lëvizet në lartësi më të mëdha se 1800 metra. Jo rrallë herë ka patur raportime kur alpinist të ndryshëm kanë ngecur në shpatet e Malit Sharr, prandaj rekomandohet që këta ecje të mos jenë individuale por në grupe.
“Apelojmë tek individët apo qytetarët që organizohen në grupe të jenë të kujdesshëm kur ecin në lartësi mbi 1800 metra mbi nivelin e detit. Në këto vende shpeshherë ka edhe orteqe, të cilët janë shumë të rrezikshme për jetën e alpinistëve”, deklaron për gazetën KOHA, Snezhana Novakovska, kryetare e klubit malor “Teteks”. Dalja në natyrë në formë të organizuar nëpër vende të larta – krahas përfitimeve shëndetësore, poashtu paraqet edhe një mundësi të mirë për rekreim për shumë qytetarë. Pritet që këto aktivitete në të ardhmen të intensifikohen edhe më shumë kur një pjesë e Malit Sharr të shpallet edhe Park Kombëtar. Shoqatat malore theksojnë se kjo do të jetë edhe një mundësi e mirë për të tërhequr edhe klube malore nga vendet e rajonit të cilët janë të interesuara për të vizituar bukuritë e Malit Sharr. (koha.mk)