“Sa i përket cilësisë, pikërisht në atë kohë kur drithërat e bardhë duhej të kenë një cilësi të lartë, kemi të bëjmë me një cilësi pak më të ulët, kjo për shkak të reshurave të shiut të cilat ishin të pandërprera në atë periudhë dhe ndikuan negativisht tek drithërat, pasi kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në sasinë e uljes së glutenit tek gruri”, sqaroi Nuhiu
Urim HASIPI
Tetovë, 28 gusht – Me rastin e përfundimit të korrje-shirjeve në rajonin e Tetovës, nga Njësia rajonale e Ministrisë së Bujqësisë në Tetovë thonë se këtë vit gruri dhe drithërat tjerë kanë pasur rendiment më të lartë krahasuar me vitin e kaluar. Rendimenti i grurit këtë vit përafërsisht sillet rreth 4000 kilogram për hektarë, shkruan gazeta KOHA.
“Sa i përket korrje-shirjeve në rajonin e Tetovës, rendimenti nëse bëjmë një krahasim me vitin e kaluar, sivjet ka qenë më i lartë. Bëhet fjalë për një sipërfaqe prej 4665 hektarë, të cilat mbulojnë regjionin e Tetovës ku nëse merret për bazë ton për hektarë, atëherë kemi rreth 4000 kilogram për një hektarë me të mbjella të grurit. Sa i përket elbit, ku kemi 110 hektarë të mbjella, sasia e rendimentit të elbit në këto të mbjella është rreth dy tonelata në një hektarë. Kurse për thekrën, në një sipërfaqe prej 13 hektarësh, pasi thekra përdoret më pak në krahasim me grurin dhe elbin, rendimenti është 2200 kilogram për hektarë. Sa i përket tërshërës, ku kemi një sipërfaqe prej 19 hektarë – rendimentin për hektarë e kemi 1900 kilogram për një hektarë. Nga këto të dhëna nënkuptojmë se këtë vit rendimenti është shumë më i lartë”, thotë agronomi Nuhiu.
Mirëpo, gruri dhe drithërat tjerë këtë vit kanë qenë të një cilësie më të ulët për shkak se të reshurat e pandërprera të shiut në muajt qershor dhe korrik kanë ndikuar negativisht në cilësinë e grurit dhe drithërat e tjerë.
“Sa i përket cilësisë, pikërisht në atë kohë kur drithërat e bardhë duhej të kenë një cilësi të lartë, kemi të bëjmë me një cilësi pak më të ulët, kjo për shkak të reshurave të shiut të cilat ishin të pandërprera në atë periudhë dhe ndikuan negativisht tek drithërat, pasi kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në sasinë e uljes së glutenit tek gruri”, sqaroi Nuhiu. Sipas agronomit Xheladin Nuhiu, edhe të reshurat e ditëve të fundit kanë ndikuar negativisht në cilësinë dhe sasinë e perime-kulturave, vreshtarisë dhe pemëtarisë. “Koha e zhvillimit të perime-kulturave në muajin korrik kur patëm të reshura të pandërprera dhe kur temperaturat filluan të ulen, u paraqitën sëmundje të dukshme”, deklaroi ai. (koha.mk)