Urim HASIPI
Tetovë, 11 dhjetor – Tetova ngel pa hapësira të gjelbër viteve të fundit. Të njëjtat shkatërrohen në mënyrë të pamëshirshme. Një nga parqet më të gjata përgjatë rrugës “Boris Kidriç”, duke filluar nga Qendra për Kulturë deri te Qendra Sportive, tashmë viteve të fundit është përfshirë nga ndërtimet dhe zaptimet e tavernave, shkruan gazeta KOHA. Një pjesë tashmë është rregulluar si parking, ndërsa përgjatë rrugës janë vendosur edhe mburoja prej metali për ndërtimet që zhvillohen. Qytetarët theksojnë se me ndërtimet e reja në qytet dëmtohen hapësirat e gjelbra, të cilët përvetësohen nga investitorë, duke mos lënë asnjë hapësirë të gjelbër apo parqe.
“Viteve të fundit shohim vetëm beton gjithandej. Parqet dhe gjelbërimi, edhe ato pak që ishin janë duke u zhdukur tërësisht. Ka shumë pak në qytet vende me gjelbërim, prandaj edhe kemi shumë ndotje dhe papastërti. Duhet që më shumë të punohet që të kemi më shumë hapësira të gjelbër, sepse ajo i jep pasqyrë më të mirë qytetit”, thotë Arjani, një qytetar i Tetovës.
Në Tetovë dëmtime të këtilla ka gjithandej, sidomos në pjesët ku janë ndërtuar ndërtesa të mëdha. Kjo, edhe viteve të kaluara ,sipas ekspertëve ishte një ndër arsyet kryesore të ndotjes për shkak të mos qarkullimit të ajrit. Nga Komuna e Tetovës thonë se hapësirat e gjelbra do t’u kthehen qytetarëve.
“NPK Tetova – Tetovë, do të del në terren, do të inspektojë dëmtimet dhe në bashkëpunim me investitorët të cilët ndërtojnë në atë pjesë, do të kthehen hapësirat e gjelbra .Në Tetovë kemi diku rreth 41.123 metra katrorë sipërfaqe të gjelbra publike, por po ballafaqohemi me një problem, ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se uzurpohen në mënyrë të paskrupullt hapësirat publike, mirëpo tendenca jonë edhe si komunë, edhe si ndërmarrje, është që ata sipërfaqe t’i zhbllokojmë dhe t’i kthejmë tek qytetarët”, thonë nga pushteti lokal në Tetovë.
Në qytetin e Tetovës, i cili tashmë është shndërruar në asfalt, nuk respektohet as në minimum hapësira e gjelbra, e cila, sipas standardeve evropiane, nevojitet që për kokë banori të ketë 16 metër kub hapësirë të gjelbër.
Në të kaluarën në Tetovë ka pasur shumë parqe, të cilët janë shfrytëzuar nga qytetarët, kurse tani ka mbetur vetëm ai pranë Xhamisë së larme, ndërsa së fundi është rregulluar edhe parku afër stacionit të autobusëve.
Qyteti i Tetovës ndër vite po i humb edhe ato pak hapësira të gjelbra që i ka. Pjesa dërmuese e hapësirave të lira, të cilët kanë qenë me gjelbërim janë uzurpuar dhe në ato vende janë bërë ndërtime. Nga NPK-ja, krahas kësaj, thonë se për më shumë pastërti vendosin edhe shporta, por ato dëmtohen.
“Shpesh herë kalimtarë të rastit dëmtojnë shportat dhe të njëjtat mund të them se janë në gjendje të mjerueshme. Prandaj, në këtë drejtim duhet edhe një vetëdije më e lartë e qytetarëve që të mos i dëmtojnë ato, sepse bashkërisht mund të kontribuojmë për një ambient më të pastër në qytetin e Tetovës”, thonë nga kjo ndërmarrje.
Nga Policia e Tetovës kanë apeluar që qytetarët të kenë kujdes dhe ta mbrojnë ambientin ku jetojnë ,sepse në të kundërtën do të përballen me dënime. (koha.mk)