Për dhjetë vjet, në Maqedoni numri i nxënësve të shkollave fillore ka shënuar rënie për 30 mijë, ndërsa ka rënie për 22 mijë edhe te numri i nxënësve nëpër shkolla të mesme, ndërkohë që numri i studentëve është ulur për 10 mijë. Në anën tjetër, është rritur numri i arsimtarëve dhe profesorëve. Rënia e numrit të nxënësve është për shkak të natalitetit të ulët dhe migrimit, ndërkaq rritja e numrit të mësimdhënësve është shkak i reformave në arsim, thonë në MASH
Destan JONUZI
Shkup, 7 gusht – Për dhjetë vjet, numri i nxënësve ka shënuar rrënje në të gjitha nivelet e arsimit, duke filluar nga ai fillor, i mesëm dhe i lartë, ndërkohë që numri i arsimtarëve dhe profesorëve është rritur, kështu thonë të dhënat e Entit shtetëror për statistikë të publikuara në botimin “Maqedonia e Veriut në numra”. Për dhjetë vjet kemi 30 mijë filloristë më pak nëpër bankat e shkollave të Maqedonisë së Veriut, 22 mijë gjimnazistë dhe 10 mijë studentë më pak. Në anën tjetër, në shkollat fillore kemi 2331 arsimtarë më shumë, 877 mësimdhënës më shumë në shkollat e mesme dhe 919 profesorë më shumë nëpër universitete.
“Për dhjetë vjet, numri i filloristëve ka shënuar rënie për 30 mijë. Ndërsa në vitin shkollor 2008/2009 ka pasur 217.685 nxënës në vitin 2018/2019 janë 189.236 nxënës. Në të njëjtën periudhë, po ashtu edhe numri i shkollave ka shënuar rënie për 10, ndërsa numri i arsimtarëve ka shënuar rritje për 2331. Në vitin shkollor 2008/2009 ka pasur 15.246, ndërsa dhjetë vjet më vonë ka 18.580 arsimtarë”, këto janë të dhëna të Entit Shtetëror për Statistikë për arsimin fillor. Edhe në arsimin e mesëm – numri i nxënësve dukshëm ka shënuar rënie. Nga 94.387 më vitin shkollor 2008/2009, për dhjetë vjet ka arrit në 72.123. Ndërkohë, për dhjetë vitet e fundit, 24 shkollave të mesme u është vënë dryni, ndërkaq ka shënuar rritje numri i profesorëve në arsimin e mesëm nga 6720 në 7597. Numri i studentëve për dhjetë vite ka shënuar rënie thuajse për 10 mijë (nga 63.437 në vitin akademik 2008/2009 në 53.677 pas dhjetë viteve). Por, për këto 10 vite ka 919 profesorë më shumë nëpër universitetet. Sipas të dhënave zyrtare, numri i nxënësve në hark kohor brenda një viti është zvogëluar nga 3 deri në 5 mijë.
Nga Ministria e Arsimit thonë se rritja e numrit të mësimdhënësve në shkollat fillore dhe ato të mesme, është si rrjedhojë e reformave dhe qasjes së re në mësimdhënie, aplikimit të lëndëve të reja në programin arsimor, me qëllim që të ketë cilësi më të mirë në arsim. Nga kjo ministri, po ashtu theksojnë se numri i mësimdhënësve është shtuar për shkak se një numër i tyre janë angazhuar në procesin mësimor të fëmijëve me nevoja të veçanta, të cilët janë futur në procesin e rregullt arsimor – gjë që ka imponuar edhe angazhimin e një kuadri profesional. Në bazë të ndryshimeve ligjore, parashihet që të bëhet ulja e numrit të nxënësve nëpër klasa, gjë që pritet të rrisë edhe më shumë numrin e mësimdhënësve. Por, edhe kundrejt reformave të shumta në sistemin arsimor, nxënësit e Maqedonisë së Veriut po shënojnë rezultate të ulëta në testimin ndërkombëtar – PISA. Në bazë të rezultateve të publikuara nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), nxënësit në Maqedoninë e Veriut janë vlerësuar me 393 pikë për lexim, që është nën mesataren prej 487 pikëve. Përderisa në lëndën e matematikës, nxënësit nga Maqedonia e Veriut janë notuar me 394 pikë dhe me 413 pikë për shkencat natyrore, që gjithashtu është nën mesataren e pikëve në këto dy kategori.
Në anën tjetër, edhe një hulumtim i USAID-it dhe Shoqatës “Hap pas hapi” nga viti 2017 tregon se nxënësit e shkollave fillore nuk mund të përmbushnin standardin ndërkombëtar për t’iu përgjigjur 80 për qind pyetjeve të bëra. Ata janë përgjigjur vetëm në 40 për qind të pyetjeve të bëra, ndërsa kanë treguar rezultate të dobëta në matematikë. Fakultetet maqedonase nuk janë në 1000 vendet e para në renditjen akademike të universiteteve botërore, të njohur si Lista Shangait. Universiteti më i mirë maqedonas “Shën. Kirili dhe Metodi”, është në listën e rangut botëror në vendin e 1568. Ndryshe, për shkak të pandemisë së Covid-19, shkollat dhe fakultetet u mbyllën nga fillimi i marsit, ndërsa mësimin e kanë zhvilluar përmes internetit. Autoritetet shëndetësore dhe Ministria e Arsimit tani po bëjnë përgatitjet përfundimtare për mënyrën se si do të zhvillohet mësimi nga shtatori. (koha.mk)